Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit mbi 8.7 milionë euro.
Kështu tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se ky është vetëm planifikim buxhetor dhe kostoja përfundimtare do të mund të dihet vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
“Buxheti i planifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për qëllim të organizimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, është në vlerën: 8,709,317 euro. Ky është vetëm planifikim buxhetor, çka do të thotë se për të ditur saktë se sa do të kushtojë organizimi i këtyre zgjedhjeve duhet të presimin përfundimin e tij dhe të gjitha procedurat tjera. Atëherë do të kemi një raport përfundimtar dhe do të dimë saktë se sa nga mjetet e planifikuara janë shpenzuar. Sipas përvojës nga proceset e kaluara zgjedhore, zakonisht kostoja përfundimtare është më e ulët sesa ishte planifikuar”, tha Elezi për KosovaPress, përcjellë Gazeta Enigma.
Sipas Elezit, pjesa më e madhe e mjeteve që planifikohen përdoren për të paguar trupat zgjedhore, të cilat angazhon gjatë procesit zgjedhor dhe pas tij.
“Nga shuma e përgjithshme e buxhetit të planifikuar, pjesa më e madhe e tij është caktuar për personelin dhe trupat zgjedhore që do të angazhohen. Vetëm gjatë këtij procesi janë planifikuar më shumë se 23 mijë persona, pjesa më e madhe e të cilëve do të angazhohen si anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, anëtarë të Këshillave të Vendvotimit dhe anëtarë të numërimit në Qendra Komunale të Numërimit”, tha ai.
Sipas KQZ-së edhe Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme që u miratua nga Kuvendi i Kosovës pas përmbylljes së reformës zgjedhore në verën e vitit 2023, ka zgjeruar përgjegjësitë e KQZ-së, e rrjedhimisht kjo reflektohet edhe në koston e planifikuar. Në kosto do të ndikojë edhe periudha e rregullt në organizimin e zgjedhjeve, e cila ka filluar në mes të gushtit të këtij viti dhe pritet të përfundojë para pranverës së vitit të ardhshëm.
“Natyrisht se Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme ka zgjeruar përgjegjësitë e KQZ-së në organizimin e procesit zgjedhor dhe kjo reflektohet edhe në koston e planifikuar. Për herë të parë në një proces zgjedhor do të kemi funksionimin e 38 Qendrave Komunale të Numërimit, të cilat do të vendosen kryesisht në palestra sportive dhe në të cilat do të bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë. Funksionalizimi i këtyre QKN-ve është një kosto shtesë sepse procesi që zhvillohet duhet të jetë plotësisht transparent dhe në këtë drejtim janë të nevojshme sigurimi i kamerave, monitorëve, kompjuterëve, skanerëve dhe pajisjeve tjera përcjellëse. Natyrisht se ka edhe çështje të tjera që ndikojnë në planifikimin e kostos së përgjithshme”, tregoi Elezi.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt 2021 dhe të cilat ishin organizuar brenda një periudhe të shkurtër kohore për shkak se ishin të jashtëzakonshme.
Sipas të dhënave të KQZ-së, këto zgjedhje i kushtuan buxhetit të Kosovës 4 milionë e 469 mijë e 764 euro. Planifikimet për koston e këtyre zgjedhje kanë qenë në shumën 5 milionë e 578 mijë e 712 euro.