Katër persona, në mesin e tyre një zyrtar policor, janë ndaluar si të dyshuar për përfshirje në rastin e rrëmbimit në Veternik, më 19 shtator të këtij viti.
Sipas njoftimit zyrtar, Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë kanë arritur të sigurojnë prezencën e personave të dyshuar.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar një armë zjarri dhe një lodër (imitim i armës AK-47).
“Me vendim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të katër personave të ndaluar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Si pjesë e procedurave administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin për zyrtarin policor.
“Hetuesit policor dhe ata të IPK-së, në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore, po vazhdojnë veprimet e mëtejme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit. Numri i përgjithshëm i personave të arrestuar lidhur me këtë rast arrin në tetë”.
Rrëmbimi ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Veternik të Prishtinës. Sipas policisë, dy të dyshuar kanë marrë me forcë viktimën duke e futur në veturë, derisa sipas viktimës, ata e kanë dërguar në një shtëpi të pabanuar ku e kanë mbajtur deri në mëngjes, dhe dyshohet se ndaj tij është përdorë forcë fizike.