Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar pushtetin për sabotimin e punës së Kuvendit, duke paralajmëruar se praktikat e tilla po minojnë funksionimin parlamentar dhe rrezikojnë miratimin e projektligjeve dhe vendimeve jetike për vendin. Në një konferencë për media, të enjten, Violeta Haxholli nga KDI-ja tha se sesioni vjeshtor po karakterizohet nga mungesa e kuorumit dhe bojkotimi i seancave, kryesisht nga mazhoranca.
“Kur kanë mbetur rreth dy muaj deri në përfundimin e kësaj legjislature, Kuvendi ka në agjendë 23 pika të bartura nga seanca të mëparshme – disa prej tyre që nga viti i kaluar. Përveç tyre, rreth 50 projektligje e vendime me rëndësi jetike mbeten për t’u shqyrtuar,” deklaroi Haxholli, përcjell Gazeta Enigma.
Ajo theksoi se që nga fillimi i sesionit vjeshtor në shtator, tri seanca janë ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, duke e penguar miratimin e ndonjë projektligji. Haxholli kritikoi veçanërisht bojkotin e mazhorancës ndaj seancave të jashtëzakonshme të thirrura nga opozita për çështje të rëndësishme.
“Është e papranueshme që bojkoti, një mjet i zakonshëm i opozitës, po përdoret nga mazhoranca, e cila duhet të jetë përgjegjëse për funksionimin e rregullt të Kuvendit,” tha ajo.
Haxholli gjithashtu kritikoi kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, për shmangien e udhëheqjes së seancave të thirrura nga opozita, duke theksuar se kjo përbën shkelje të obligimeve kushtetuese të tij. “Kuvendi duhet të jetë një hapësirë për debat të hapur dhe konstruktiv, jo thjesht makineri votimi,” theksoi ajo.
KDI paralajmëroi se Kuvendin e presin vendime të rëndësishme në periudhën e mbetur, përfshirë miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Praktikat e sabotimit dhe përdorimi i Kuvendit për qëllime elektorale rrezikojnë këtë proces dhe kontribuojnë në polarizimin politik, duke ndikuar negativisht tek qytetarët në prag të zgjedhjeve,” paralajmëroi Haxholli.
Në seancën e fundit të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, e cila u zhvillua të mërkurën, mazhoranca sërish nuk mori pjesë. Diskutimi kishte të bënte me keqpërdorime të mëdha financiare në Ministrinë e Mjedisit, për të cilat janë arrestuar dy zyrtarë shtetërorë. Kjo ishte seanca e tretë brenda një jave e bojkotuar nga mazhoranca, duke thelluar krizën funksionale në Kuvend./GazetaEnigma/