KDI: Vettingu të bëhet me ndryshime kushtetuese – thirrje Qeverisë për konsensus politik

KDI: Vettingu të bëhet me ndryshime kushtetuese – thirrje Qeverisë për konsensus politik

Kryeministri i Kosovës, bashkë me ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiu, janë takuar sot me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, në kuadër të takimeve për procesin e Vettingut.

PDK ka njoftuar se ka propozuar që ky proces të diskutohet në Kuvendin e Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias. Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në Opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme, është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme”, tha Memli Krasniqi.

Zyra e kryeministrit ka njoftuar se kryeministri Kurti do të takohet me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa LDK ka refuzuar takimin, derisa ka thënë se për këtë do ta japë kontributin në Kuvend dhe se qeveria nuk po e paraqet me saktësi opinionin e Komisionit të Venecias për Vettingun.

Ndërsa, Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në KDI, thotë se Vettingu duhet të formohet me ndryshime kushtetuese, teksa përmend sqarimet e Komisionit të Venecias.

“Si KDI, në parim gjithmonë e kemi përkrahur iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për Vetting, pavarësisht mënyrave ose metodave që i zgjedh Ministria e Drejtësisë, ne mendojmë se është e nevojshme që sistemi gjyqësor dhe prokurorial t’i nënshtrohet procesit të Vettingut. Tashmë propozimet e para të bëra nga ministria e drejtësisë, janë dërguar në Komisionin e Venencias për vlerësim për këtë proces dhe Komisioni i Venecias ka ofruar sqarime dhe ka kërkuar që të bëhet një Vetting i pjesshëm, me ndryshime Kushtetuese, që do t’i nënshtrohen krerët e Këshillave, Këshilli Gjyqësor, Prokurorial dhe kryetarët e gjykata dhe kryeprokurorët e prokurorive”, tha Bugaqku.

Ai thekson se Qeveria duhet të ndërtojë konsensus politik me të gjitha partitë, edhe me partitë pakicë, sidomos me Listën Serbe, derisa sipas Kushtetutës duhen 2/3 e votave për ndryshimet Kushtetuese në Kuvend.

“Ne jemi në parim që ky proces të bëhet me ndryshime kushtetuese por që domosdo është e nevojshme që Qeveria të ndërtojë konsensus politik, jo vetëm me partitë parlamentare të shumicës shqiptare por të ndërtojë konsensus edhe me partitë e komuniteteve, veçanërisht Lista Srpska, për shkak se nëse orientohet koncepti për ndryshimet kushtetuese, nevojiten domosdo votat e komunitetit joshumicë të Kuvendit të Kosovës, pasi Kushtetuta e përcakton qartë që për çdo ndryshim kushtetues duhet të miratohen nga 2/3 e shumicës dhe pakicës së Kuvendit”, vlerëson hulumtuesi i lartë i KDI-së.

Bugaqku i bën thirrje partive politike që të bashkëpunojnë për këtë proces, pasi është në të mirë të qytetarëve dhe siguron një gjyqësor më transparent e luftim të krimit e korrupsionit.

“Domosdo, për të mirën e përgjithshme, të qytetarëve, ky proces duhet të realizohet dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të bashkëpunojnë në mes vete dhe të gjendet konsensusi i gjerë politik që të përfundojë ky proces në të mirën e qytetarëve të Kosovës, sepse kjo siguron një gjyqësor dhe një institucion i prokurorisë më transparent dhe kjo natyrisht ka për pasojë që të forcohet sundimi i ligjit, të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar”, deklaron Vullnet Bugaqku nga KDI.

Related Articles