Është ndërprerë procesi mësimor nëpër disa shkolla të komunës veriore për shkak të mësazheve anonime kërcenuese se në to janë vendosur bomba.
“Në shkollat ‘Branko Radicevic’ në veri të Mitrovicës dhe ‘Vuk Karaxhiq’ në Zvecan, është ndërprerë mësimi dhe nxënësit kanë dalë jashtë këtyre objekteve për shkak të sigurisë. Kanë ardhur mesazhe se ka bomba të vendosura nëpër këto shkolla. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes”, kanë thënë burimet për KosovaPress.
Kërcënime me bomba ka pasur së fundmi edhe në Prishtinë, saktësisht në shkollën “Xhevdet Doda” si dhe dy herë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.
Në të gjitha rastet kërcënimet kanë qenë përmes emailit.
Po ashtu, në disa raste, ka pasur paralajmërime për bombë edhe në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë. Por gjithnjë kanë rezultuar alarme false.