Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli, është kërcënuar përmes rrjeteve sociale, si rrjedhojë e punës së tij zyrtare që ndërlidhen me veprimet e ndërmarra nga Prokurori i Shtetit për rastin e plantacioneve me bimë narkotike, të zbuluara kohëve të fundit në Pejë, ku u sekuestrua mbi një ton drogë me vlerë rreth 5 milionë euro.
Kështu njoftoi Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), të cilat përmes një komunikate të përbashkët dënuan ashpër kërcënimet e bëra.
“KPK dhe ZKPSH, theksojnë se këto kërcënime janë akte të shëmtuara, të papranueshme dhe të patolerueshme, andaj ua bëjnë me dije atyre që fshihen prapa tyre se janë të vendosur të qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurorit Qavolli dhe do t’i ofrojnë mbështetje të plotë për punën e tij në ndjekjen e kryeseve të veprave penale”, thuhet në reagim.
Tutja dy institucionet njoftuan se në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kërcënuar prokurorin Qavolli dhe, njëkohësisht, janë duke e trajtuar seriozisht këtë veprim penal gjer në ndriçimin e plotë të tij, “i cili ka për qëllim pengimin në ushtrimin e funksionit dhe detyrave të tij kushtetuese dhe ligjore”.
“Në këtë drejtim, KPK-ja dhe ZKPSH-ja, sigurojnë opinionin publik se kërcënimet dhe shantazhet e tilla, çfarëdo qofshin dhe nga kushdo qofshin, të cila bëhen ndaj prokurorëve të shtetit nuk do t’i zmbrapsin asnjëherë synimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit ligjor në Kosovë”, thuhet në fund të reagimit. /Gazeta Enigma