Zyrtari i Komunës së Vitisë, Naser Azemi e ka kërcenuar publikisht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ndaj këtij kërcenimi ka reaguar kryetari i Komunës, Sokol Haliti.
Ai i cili deklaroi se nuk është në dijeni për rastin, por dënoi ashpër gjuhën e Azemit drejtuar kryeministrit Kurti.
“Nuk e di për besë, por nëse është, është e ndalume sepse ofendimi ndaj zyrtarit është vepër penale, sidomos ndaj Qeverisë dhe kryeministrit, kjo është e palejueshme”, tha Haliti.
I pari i Vitisë tha për Sinjalin se do të do të kontaktojë me personin përgjegjës, duke bërë të ditur se ndaj Azemit do të merren masa.
“Unë tash kam me e shiku Drejtorinë ku punonë edhe do të merren masa, aty ka përgjegjës të sektorit, ata duhet me marrë masa ndaj personit”, tha tutje Haliti.
Ai shtoi se Azemi është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, por sipas tij, kjo ‘nuk ka lidhje’.
“Ai e di që është i Lëvizjes Vetëvendosje, anëtar i tyre është, po s’ka lidhje, s’ka të drejtë kurrkush dhe është e dënueshme me kërcënu dhe me fy kryeministrin e shtetit’”, përfundoi kreu i Komunës së Vitisë për Sinjalin.
Ndërkohë, Gazeta Sinjali ka nisur pyetje në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Gjilan, për të kuptuar nëse Azemi është ftuar që të paraqitet në stacion policor për intervistim.
Ndryshe, Azemi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, pas mosekzekutimit të pagave të plota të muajit gusht, ka shpërthyer në ofendime e kërcënime ndaj kreut të Qeverisë, Albin Kurti, të cilit i është drejtuar se s’do i lë vend askund në botë.
Kujtojmë se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka marrë vendim që të pezullohen nga pagat të gjithë punëtorët që i janë bashkuar grevës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.