Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Ndër telashet më të shpeshta në familjet kosovare, janë edhe ato ku përfshihen kunatat. Mosmarrëveshjet mes tyre shpeshherë përcillen me ofendime, të shara e kërcënime, por në shumë raste eskalojnë edhe në dhunë fizike ndaj njëra-tjetrës.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe të mërkurën në një familje në Ferizaj, ku dy gra janë rrahur mes vete, si pasojë e një përleshje që njëra prej tyre ka pasur me vajzën e tjetrës.
Sinjali mëson se se fillimisht njëra nga të dyshuarat e ka sulmuar vajzën e kunatës me një mjet kuzhine, e më pas nëna e saj i ka dalë në ndihmë të bijës dhe është hedhur në sulm.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tyre, në orët e mbrëmjes, kur edhe intervenoi Policia dhe i arrestoi dy gratë e dyshuara.
Të njëjtat kanë përfunduar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë për rrahjen në të cilën janë përfshirë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tyre dhe inicimin e rastit ‘Dhunë në familje’.