Kërkesa e Kosovës që Serbia t’i liroj kosovarët që po mbahen në burgje ‘në vesh të shurdhër’

Kërkesa e Kosovës që Serbia t’i liroj kosovarët që po mbahen në burgje ‘në vesh të shurdhër’

Kosova vazhdon t’i ketë katër kosovar të arrestuar në burgjet e Serbisë, ku ende nuk është marr asnjë vendim për ta, shkruan Gazeta “Enigma”.

Madje njëri nga ta është i burgosur që nga viti 2020.

Të gjithë të arrestuarit janë duke u mbajtur në burgjet e Serbisë nën akuzen për krime lufte.

Në lidhje me këtë çështje të hënën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar homologës së saj serbe, Maja Popoviq transferimin në Kosovë të katër qytetarëve kosovarë që po mbahen në burgjet e Serbisë.

“Javën qe lamë pas i kam kërkuar Ministres së Drejtësisë të Serbisë transferimin e qytetarëve tanë të cilët po mbahen në burgjet e Serbisë”, ka dekaruar Haxhiu.

“Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa duhet kthyer në Kosovë për t’u gjykuar drejtë dhe paanshëm nga institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, tha ajo.

Pas ministres së drejtësisë ka reaguar edhe kryeministri i vendit i cili ka mbështetur kërkesën e Haxhiut për transferimin e katër kosovarëve nga burgjet e Serbisë.

“Në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, sipas Marrëveshjes Bazike për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të shpallur ligjërisht të obligueshme nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ministrja jonë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është drejtuar ministres së Drejtësisë së Serbisë për transferimin në Republikën e Kosovës të katër të burgosurve shqiptarë në Serbi”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se “Republika e Kosovës ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj. Si shtet demokratik që mbron dhe siguron të drejtat e njeriut përtej standardeve evropiane, republika jonë do sigurojë trajtim të pavarur e të paanshëm ndaj çdo pretendimi që ngritet ndaj qytetarëve të saj”, ka theksuar Kurti.

Deri më tani Bashkimi Evropian nuk reagur ndaj shtetit serb për arrestimet që janë bërë ndaj kosovarëve.

Lidhur me këtë analisti Fidan Ukaj në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se nëse BE-ja donë normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të i trajtojnë të gjitha veprimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe të gjejnë një zgjidhje.

“Nëse BE-ja vërtet dëshiron normalizimin e raporteve në mes të dy shteteve Kosove-Serbi patjetër se duhet me i trajtua të gjitha verprimet e Serbisë karshi Kosovës, e po ashtu të jetë më e vendosur në gjetjen e zgjidhjeve rreth këtyre problemeve të cilat do ishin në funksion të normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi”, deklaroi Ukaj për “Enigmën”.

Ndërsa eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se i gjithë ky proces duhet të ndahet në dy çështje kryesore, ajo politike dhe çështja penale.

Shala ka shtuar qytetarët e Kosovës do të jenë target të strukturave të Serbisë në momentin që kalojnë në territorin e tyre.

Sipas Shalës ky proces duhet të ndahet dy çështje kryesore. “Çështja penale që Serbia po pretendon që ka informacione dhe dëshmi të mjaftura për të qytetaret tane që janë duke mbajtur ne burgjet e serbis për veprime kriminale të pretenduara nga sistemi i tyre drejtesisë politike, si dhe çështje politike”, shton ai.

“Pra qytetarët e Kosovës do të jenë target të strukturave të siguris të Serbisë në momentin që kalojn nëpër territor te tyre për të kapur ndonjë qytetar që ka lidhje qoft më vitet 90 qoft me periudhen pas çlirimit në kuadër të institucioneve tona të sigurisë”, ka theksuar Shala.

Tutje ai ka shtuar se ndërkombëtarët duhet të bëjnë më shumë presion politik në Beograd.

“Faktori ndërkombëtar duhet të bëj presion politik në Beograd dhe në anën tjetër t’i mundësohet që Kosova të bëhet anëtare e Interpolit për tju mundësuar që të jetë e barabartë në situata të tilla që janë duke u zhvilluar në pjesën hetimore”, deklaroi Shala për “Enigmën”.

Kujtojmë se personi i fundit i cili u ndalua nga Serbia më 1 qershor 2024 në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdar është Tefik Mustafa.

Nga Gjykata e Lartë për Krime të Luftës në Beograd, atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve dhe është duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit.

Para Mustafës, më 17 prill 2024, është arrestuar edhe Sadik Duraku, i cili është duke u mbajtur në paraburgim në Beograd.

Në janar të 2024-ës, ishte arrestuar Hasan Dakaj, i cili po ashtu ende është duke u mbajtur në paraburgim.

Më 3 janar 2020, ishte arrestuar Nezir Mehmetaj, i cili po vazhdon të jetë në paraburgim në Burgun Qendror në Beograd, ndaj tij është duke u zhvilluar një proces gjyqësor./Gazeta Enigma/

Related Articles