Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca ku po diskutohet lidhur me projektligjin për Trustin, i cili parasheh që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e një pjesë të parave të tyre të kursyera.
Iniciuesi dhe propozuesi, Bekim Haxhiu nga PDK-ja, para deputetëve tha se ata janë përfaqësues të qytetarëve dhe se si të tillë duhet të votojnë për kërkesat e tyre.
“Ky projektligj është i qytetarëve, nuk është personal. U bë për të përballuar rritjen e çmimeve, inflacionin dhe krizën ekonomike. Do të ketë impakt pozitiv në buxhetin Kosovës dhe ekonominë e saj”,deklaroi ai.
Me thirrje të njëjtë ndaj deputetëve u drejtuan edhe opizitarët tjerë.
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se “është e domosdoshme tërheqja e një pjese të Trustit”, sipas tij “kjo është kërkesë ekskluzive dhe nevojë e qytetarëve”.
Ai iu ka kërkuar deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ta votojnë Projektigjin për Trustin, duke shtuar se “për kodin Civil s’e keni dëgjuar kryeminisrin, veproni njëjtë edhe për Trustin”.
Gjatë fjalimit të tij, të enjten në Kuvendin e Kosovës, kur po zhvillohet seanca për Trustin, Krasniqi ka thënë se kjo Qeveria nuk ka ndërmarrë masa për gjendjen ekonomike në vend.
“Do të duhej të kishit përgjegjësi për gjendjen aktuale”, ka thënë Krasniqi.
Edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Besjan Mustafa kërkoi nga deputetët të VV-së që të përkrahin tërheqjen e 30 përqind të Trustit.
Kjo në mënyrë që, sipas tij, të zbutet kriza, e cila i ka kapluar qytetarët nga rritja e çmimeve.
“Çmimet janë ngrit për 12.5 %. Ky inflacion në disa produkte arrin deri në 83 %. Qeveria ka pasë mundësi shumë masa me i marrë. Ne si LDK kemi propozuar reduktimin e akcizës për 3 muaj, me mundësi vazhdimi për tre muaj të tjerë, zgjerimi i listës me TVSH të reduktuara”.
LEXO EDHE: LDK e fton VV-në të votojë pro tërheqjes së mjeteve nga Trusti
Kurse, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj gjatë seancës së Kuvendit ka bërë thirrje që të votohet Ligji për Trustin.
Sipas tij qeveria, shumica dhe opozita sot duhet të bëhen bashkë meqë siç tha ai qytetarët e Kosovës i kanë sytë të gjithë kah Kuvendi.
“E nderuar qeveri, VV por edhe opozitë qytetarët i kanë të drejtuar sytë nga ne, doktorët, veteranët, sektori privat, policët, bujqit, gastronomët, zjarrfikësit, punonjësit civil, bizneset e vogla e të mesme”.
“Me votën PRO për Trustit e përmirësojmë gjendje në secilin familje , t`i lëmë anash politikat ditore dhe të mendojmë për qytetarët”, tha Lekaj.
LEXO EDHE: Lekaj: T`i lëmë inatet politike, të votojmë për Trustin
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur qëndrimin e qeverisë derisa ka theksuar se është kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti.