Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se as nuk do ta shqyrtojë kërkesën e Parlamentit Europian, e cila kërkon që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohje reciproke.
I pyetur se si do të përgjigjet këtij dokumenti të BE-së që për herë të parë po e përmend njohjen reciproke, Vuçiq tha se do të përgjigjet “mirë, me dinjitet dhe mirësjellje”.
“Nuk na shkon mendja. Nuk do ta marrim parasysh”, ka shtuar Vuçiq, duke thënë se nuk mund të mendojë përgjigje “më të sjellshme”.
Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”.
Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet.
Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.
Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Në tri raportet u bë thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre vendeve. Po ashtu, në rezolutën e PE-së u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.
“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila ka hartuar raportin për Kosovën.