Që nga fillimi i vaksinimit e deri më tani janë dhënë 83.725 doza të vaksinës në Kosovë, por vetëm për personat mbi moshën 65-vjeçare dhe për stafin mjekësor, shkruan Gazeta Enigma.
Ndërsa, gazetarët gjatë pandemisë COVID-19 kanë raportuar për përballjen e vendit lidhur me situatën e krijuar, e që kanë qenë në rrezik gjatë gjith kohës, por që ende nuk është dhënë ndonjë dritë e gjelbër për vaksinimin e tyre.
Derisa në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut janë bërë organizime të veçanta për vaksinimin e gazetarëve të terrenit, në Kosovë kjo ende nuk po ndodhë.
Në lidhje me këtë çështje, ‘Gazeta Enigma’ ka kontakuar me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), por të njëjtit në një përgjigje për Gazetën kanë thënë se kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për t’i përfshirë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët në grupet me prioritet të lartë, të cilët do të imunizohen që në dozat e para të vaksinave që i ka pranuar Kosova.
Sipas tyre, kjo kërkesë është bërë për faktin se gazetarët kanë kontribuuar në vazhdimësi gjatë pandemisë, si me informim të drejtë, ashtu edhe në parandalimin e shpërndarjes së dezinformatave.
“E tërë veprimtaria e tyre është shtrirë në vijën e parë të frontit, së bashku me punonjësit e tjerë esencial. Kanë raportuar nga vatrat e infeksionit qysh prej shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, kanë mbuluar ngjarjet politike dhe sociale gjithashtu, në mënyrën më profesionale të mundshme, në ndërkohë që janë përballur me një të panjohur për të gjithë ne”, thuhet në përgjigjen e AGK-së për ‘Gazetën Enigma’.
Ndërsa, më e rëndësishmja është se lidhur me kërkesën e AGK-së për vaksinimin e gazetarëve, Ministria e Shëndetësisë është përgjigjur duke u arsyetuar se varësisht nga dispozicioni i sasisë së vaksinave do të bëhet planifikimi i kohës së vaksnimit të grupeve të riskut.
“Sipas planit të vaksinimit, gazetarët bëjnë pjesë në grupin e personave të cilët nuk mund të i shmangin kontaktit me popullatën” thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ndërsa, një kërkesë të tillë e ka edhe gazetarja e terrenit, Qëndresa Tërshani, e cila tha se vaksinimi i gazetarëve është dashur të ndodhë tashmë.
“Por, pasi nuk jemi trajtuar si kategori me prioritet normalisht që nuk është mirë për ne. Kjo nuk ka ndodhur në disa vende të rajonit. Shqipëria e Maqedonia e Veriut ka bërë organizim të veçant për vaksinimin e gazetarëve dhe një model të tillë është dashtur ta ndiqte edhe Kosova”, tha Tërshani për ‘Gazetën Enigma’.
Tërshani, tutje tha se bashkë me kolegët e saj kanë raportuar në vazhdimësi për situatën e krijuar gjatë pandemisë. “Imunizimi i gazetarëve është shumë i rëndesishëm. Unë e kolegët e mi prej më shumë se 1 viti kur Kosova përballet me pandeminë COVID-19 kemi dhënë shumë informacione për përballjen e vendit me këtë pandemi e vedijësimin e qytetarëve për virusin e panjohur. Andaj, institucionet duhet të kenë parasysh edhe këtë aspekt e të vaksinojnë gazetarët sa më shpejt”, shtoi Tërshana.
Ndryshe, rasti i parë i COVID-19 në Kosovë u shfaq më 12 mars 2020, derisa tani janë 174,008,052 raste pozitive, 111,996,657 të shëruar dhe 3,747,927 vdekje.
/Gazeta Enigma/.