Kërkohet nga ZPS-ja që Pjetër Shalës t’i vazhdohet paraburgimi

Kërkohet nga ZPS-ja që Pjetër Shalës t’i vazhdohet paraburgimi

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarit, Pjetër Shalës, t’i vazhdohet masa e paraburgimit sepse sipas tyre konsiderohet i nevojshem.



Kjo është bërë e ditur përmes shkresës së publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas ZPS-së, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi më parë dyshimin e bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara, ekzistencën e rrezikut të arratisjes, arsyet e artikulueshme për të besuar se i akuzuari do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës penale dhe do të përsërisë ose tentojë të përsërisë veprat penale.

Tutje, në shkresë thuhet se gjyqtari ka konstatuar më parë që kushtet e lirimit të propozuara nga i akuzuari  zbusin në mënyrë të pamjaftueshme rreziqet e Nenit 41 dhe se vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është proporcional.

Sipas ZPS-së, asnjë rrethanë nuk ka ndërhyrë që nga vendimi për rishikimin e paraburgimit që mund të ndryshojë këto gjetje, të cilat vazhdojnë të jenë të vërteta në të gjitha aspektet.

“Në fakt, rreziqet e nenit 41(6)(b) janë rritur me avancimin e fazës paragjyqësore të procedurës”, thuhet në këtë shkresë.

Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Related Articles