Këshilli i Evropës ka dhënë dritën jeshile për hapjen e kufijve me Kosovën, duke e përfshirë kështu në listën e vendeve me rrezikshmëri të ulët nga COVID-19.
Kësaj liste, i është shtuar edhe Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Republika e Moldavisë, ndër vendet e rajonit, vendim ky i cili u bë publik nga faqja zyrtare e Këshillit të Evropës.
Ndërsa më gjerë, është shtuar lista me përfshirjen e Armenisë, Azerbaijanit, Bruneit, Kanadasë, Jordanisë, Katarit dhe Arabisë Saudite.
Në listën fillestare, nga rajoni, kanë qenë të përfshira tre shtete ballkanike: Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Për të tre këto vende, lëvizja e lirë turistike është mundësuar nga pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian.
Vaksinat e njohura deri më tani nga Agjencia Evropiane e Barnave janë ato nga Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Pavarësisht kësaj, jo të gjitha vendet kërkojnë certifikatë vaksinimi për lëvizjen e lirë.
Në rastin e Shqipërisë, disa vende nga BE-ja, kanë pranuar edhe Sinovac apo Sputnik V si vaksina të vlefshme.