Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar të hënën rregulloren që u lejon edhe serbëve të Kosovës që bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd, t’u hiqen vizat sikurse të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit, vendimi pritet t’i prekë rreth 18 mijë banorë serbë të Kosovës që i posedojnë këto dokumente.
Rregullorja hyn në fuqi në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së.
Më 16 nëntor 2023, Komisioni publikoi një propozim për të hequr këtë përjashtim. Amendamenti i rregullores përkatëse u miratua nga Parlamenti i mëparshëm Evropian gjatë seancës plenare përfundimtare në prill të këtij viti.
Bartësit e këtyre pasaportave nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave në kohën kur Bashkimi Evropian i hoqi vizat për shtetasit e Serbisë.
Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”. Për më tepër, Qeveria e Kosovës kishte argumentuar se me një vendim të tillë BE-ja do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.
Për Qeverinë e Kosovës problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria koordinuese e Serbisë në Beograd shkruhen vendbanimet në territorin e Kosovës sikur të jenë në Serbi, që është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në dialog për shuarjen e strukturave paralele të Serbisë.