Këshilli i Prindërve të Kosovës është shprehur sot kundër kompensimit të orëve të humbura mësimore dhe për këtë thonë se kanë paralajmëruar në fillim të grevës.
Në njoftim thuhet se prindërit e deklaruar për Këshillin e Prindërve të Kosovës në shumicë absolute janë kundër zhvillimit të mësimit të shtunave.
“Këshilli i Prindërve vlerëson se prindërit kanë plotësisht të drejtë të reagojnë në këtë mënyrë, për çka edhe kemi paralajmëruar qysh në fillim të grevës. Mësimi të shtunave jo vetëm që nuk i shërben kompensimit të orëve, por ashtu e dëmton edhe procesin mësimor për ditët e tjera të javës, për shkak të lodhjes dhe mërzitjes së fëmijëve”.
“Këtu duhet shtuar edhe faktin shumë të rëndësishëm që me dhjetëra mijëra fëmijë në gjithë Kosovën gjatë fundjavave marrin pjesë në aktivitete e gara të ndryshme sportive e të artit, për çka Ministria e Arsimit, por edhe ajo e Kulturës dhe Sportit, duhet të kishin pasur konsideratë të veçantë”, thuhet në njoftimin e tyre.
“Ne besojmë se kompensimi i orëve të humbura duhet të ishte deleguar në nivel të shkollave, meqë shumica e shkollave në Kosovë nuk e kanë problemin e mbingarkesës me nxënës (pra punojnë me një ndërrim), dhe kompensimi mund të ishte bërë gjatë ditëve të javës. Këshillat drejtues të shkollave do të duhej ta informonin Ministrinë e Arsimit (me qëllim mbikëqyrjeje) për planin e kompensimit (sikurse ka ndodhur me Task Forcat gjatë pandemisë për dy vjet e gjysmë)”.