Kryesia e Këshillit të Prindërve e Prishtinës kanë kërkuar shtyrje e fillimit të vitit të ri shkollor me prezencë fizike në shkolla, nëse nuk përmirësohet gjendja me pandeminë.
Sipas komunikatës për medie, ata kanë kërkuar që fillimi i mësimit të shtyhet për dy javë.
“Ne, kryesia e Këshillit të Prindërve e Prishtinës, duke u bazuar në shkallën e përhapjes së pandemisë, më e rënda në vend prej fillimit; si për nga numri i infektimeve e i vdekjeve ditore, por edhe zgjerimi i prekjes nga virusi i të gjitha moshave pa përjashtim, llogaritur edhe rrezikshmërinë shtesë të variantit Delta, gjykojmë se fillimi i mësimit më 1 shtator me prezencë të plotë në shkolla është tejet i rrezikshëm dhe me potencial të lartë të pasojave në shëndetin e jetën e fëmijëve tanë por edhe gjithë familjeve. Dëmet mund të jenë edhe shumë më të rënda nëse kapacitet trajtuese, edhe ashtu tashmë të limituara, nëpër spitale shterohen”.