Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka pretenduar se postimi i shpërndarë nga shefi i tij, të cilin thuhej se Edi Rama është pro-serbe, ka ndodhur gabimisht.
Ai një gjë të tillë e ka njoftuar me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, teksa ka njoftuar se veprimi i Bislimit nuk ka ndonjë mesazh politik.
“Sapo është vënë re (2 minuta pas shpërndarjes) ajo është fshirë menjëherë. Nuk ka as intencë, as mesazh, pas një shpërndarje të bërë pa qëllim. Kosova dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie solide bashkëpunimi. Një shpërndarje e tillë e paqëllimshme, nuk duhet të keqpërdoret për të nënkuptuar mesazhe që nuk ekzistojnë”, ka shkruar ai.
Më tej, ai ka dhënë edhe leksione për media, sikurse zëdhënësi i Qeverisë më herët.
“Asnjë media serioze, nuk e shpërndan një lajm dhe të nxjerrë konkluzione inekzistente, nga një shpërndarje e paverifikuar dhe e larguar menjëherë”, përfundon postimi i tij.