Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka folur rreth iniciativës “Ballkani i Hapur”, duke thënë se kjo nismë është një project politike dhe sipas tij nuk është e nevojshme të dyfishohen iniciativat rajonale.
Mes tjerash, Zulfaj ka theksuar se Kosova nuk është pjesë dhe nuk do të marrë pjesë në këtë iniciative, sepse sipas tij është dyfishim i panevojshëm.
Ai ka thënë që kjo nismë që është prezantuar sot në Ohër, ishte vazhdimësi e asaj që pamë në Novi Sad me Mini-Schengenin që u shndërrua në Open Balkan, por rrënjët i kishte në vitin 2017 tek Unioni Doganor, të cilin e kishte prezantuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e për të cilën edhe ministri i jashtëm rus, Lavrov tha se ishte nismë e Serbisë.
I ftuar në RTV Dukagjini, ka thënë për iniciativën e Ballkanit të Hapur, se është një projekt politik dhe nuk është e nevojshme të dyfishohen iniciativat rajonale.
Sipas Zulfajt, Serbia nuk e pranon si palë të barabartë Kosovën, prandaj nuk mund të marrim pjesë në nismën e Ballkanit të Hapur.
Ndërsa në procesin e Berlinit, ai ka thënë “se jemi si palë e barabartë, sepse aty e kemi të garantuar barazinë, sepse jemi edhe me miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, e kemi tregun e përbashkët rajonal me katër liritë dhe aty synojmë të arrijmë marrëveshjet”.
Sipas tij, është pakuptueshme pse Shqipëria e shtynë përpara me krenari këtë iniciativë, kur është në dëm të shtetësisë së Kosovës.
“Kryeministri Kurti, mbrojten e pavarësisë dhe sovranitetit e ka në mënyrë parimore, e kemi të bërë në secilin prej takimeve cilat janë dëmet dhe rreziqet që vijnë prej Serbisë në mënyrë të vazhdueshme, prandaj është pakuptueshme pse Shqipëria e shtynë përpara me krenari këtë iniciativë, kur është në dëm të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Zulfaj.
Ai për këtë iniciativë të mbajtur në Ohër, ka thënë se asnjë nga folësit përveç Escobar nuk kërkoi që të mos varemi nga energjia ruse, siç thotë ai asnjëri nga liderët nuk e përmendën faktin që Serbia rishtazi nënshkroi marrëveshje me Gazpromin.
“Ky është shqetësimi jonë, është e qartë që Serbia është i vetmi vend që nuk ka sanksionuar federatën ruse”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë ndër të tjera se tregu i përbashkët rajonal, është në procesin e Berlinit, e për këtë Kosova është pro, duke pasur parasysh barazinë e palëve, mbi bazën e rregullave të BE-së dhe traktateve, në këtë drejtim përfiton Kosova, e jo në nismën e Ballkanit të Hapur.