Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane, Demush Shasha, i ka quajtur improvizime dhe sensacion momental politik, gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Shasha ka thënë se pikat e Kurtit duken jashtëzakonisht të ngjashme me ato katër kushtet e dialogut – nga CEFTA në SEFTA, nënshkrimi i marrëveshjes së paqes dhe mos-agresionit, reciprocitet bilateral në çështje të pakicave, dhe largimi i Odaloviqit nga delegacioni serb.
Shasha tha se janë dy gjëra që lënë shije të keqe për mënyrën se si u prezantuan sot këto 6 kushte të Asociacionit.
Sipas tij, kryeministri i prezantoi ato në kuadër të një ballafaqimi momental me opozitën dhe jo si produkt i një procesi serioz politik i cili synon t’i kthejë parimet politike në politikë shtetërore.
Ai thekson se nëse Kurti me të vërtet beson se këto janë “vijat e kuqe” të Kosovës, atëherë ai është dashur që në takime të mbajtura me liderët e opozitës t’i njoftojë ata për këtë qëndrim dhe të fillojë një dialog konfidencial me qëllim të shkëmbimit të mendimeve dhe krijimit të konsensusit të nevojshëm ndër-partiak për “vijat e kuqe”.
“…Kësisoj këto do kishin marr formën përfundimtare të një platforme për dialogun të cilën do mbështetnin të gjitha partitë. Kështu si ka vepruar Kryeministri duke i hedhur këto 6 kushte nga qielli në cirkun politik ai vetëm ka thelluar përçarjet në mes partive rreth kësaj çështje”, tha Shasha.
Ndryshe, Kurti, në seancën e së enjtes në Kuvend ka treguar gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kushti i parë sipas tij është që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet që janë në fuqi.
Po ashtu, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë Asociacion monoetnik.