Këta janë 6 të arrestuarit nga operacioni kundër fajdeve

Këta janë 6 të arrestuarit nga operacioni kundër fajdeve

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në një operacion të gjerë policor  sot në Prizren dhe në Suharekë, ka arrestuar gjashtë persona nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të ‘fajdesë’ dhe ‘detyrimit’.

Operacioni i quajtur “Milioni” është shtrirë në 6 lokacione të ndryshme, çka ka rezultuar me kapjen e të dyshuarve.

Sipas Reporteri.net, të arrestuarit në këtë aksion janë: Leotrim Muçaj, Kujtim Kabashi, Bekim Kabashi, Durim Gashi, Xhevdet Kokollari dhe Lulzim Ahmetaj.

Gjatë bastisjeve në vendbanimet e personave të dyshuar janë sekuestruar: 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, dokumentacione, si: kontrata, para-kontrata, para të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogaritë bankare të personave të dyshuar, njoftoi prokuroria.

Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.

Sipas njoftimit, ata kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga viktima shuma të mëdha të parave si dhe prona të paluajtshme dhe të luajtshme si formë e interesit nga veprimtaria e fajdesë, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro.

Të njëjtit janë dërguar në mbajtje  për 48 orë. 

Related Articles