Një 41-vjeçar gjeti vdekjen pas një therje me thikë nga disa persona në rrugën “Pjetër Budi”, në Fushë Kosovë.
Policia tashmë ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona të dyshuar lidhur me këtë rast.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur për Sinjalin se dy personat që u arrestuan si të dyshuar për këtë rast janë Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “Vrasje”.
Musliu dhe Bajrami janë prangosur në hyrje të Vushtrrisë, ku Policia i ka kapur në flagrancë derisa po tentonin t’ia mbathnin, për t’iu shpëtuar arrestimit.
Për arrestimin e tyre ka njoftuar edhe Policia, me ç’rast u bë e ditur se është sekuestruar thika që dyshohet të jetë përdorur në rast.
Ndryshe, rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:40, kur viktima u sulmua me thikë dhe pësoi lëndime të rënda trupore.
Ai u gjet i shtrirë në tokë nga Policia dhe më pas u dërgua menjëherë në Emergjencë.
Në spital vetëm u konstatua vdekja e tij, kurse trupi i pajetë u tërhoq për t’u dërguar në IML për obduksion.