Këto ishin reagimet nga akterët politik, pas dëshmisë së James Rubin në Hagë

Këto ishin reagimet nga akterët politik, pas dëshmisë së James Rubin në Hagë

Ish-Ndihmëssekretari i Shtetit në  administratën e Shteteve të Bashkuara gjatë viteve 1997-2000, James Rubin, sot u ka dhënë një shpresë të madhe popullit të Kosovës dhe ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, me dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara.

Rubin, i cili ishte ndihmës i Sekretares së Shtetit, Madeline Albright, sot u ulë në cilësinë e dëshmitarit, ku tregoi për kontaktet e tij me ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se “s’kemi gjetur asnjë provë se drejtuesit e UÇK-së donin të ekzekutonin njerëz”.

Gjatë dëshmisë së tij, akterë të shumtë politikë reaguan, duke e përgëzuar Rubin për deklaratat e tij.

Gazeta Enigma ua sjell disa nga reagimet:

Krasniqi: Me SHBA-të në krah Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat

Kreu i PDK-së reagoi lidhur me dëshminë e Rubin, i cili sipas tij “po dëshmon me ndërgjegje të pastër dhe kujtesë të gjallë”, në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij.

“James Rubin, diplomat dhe patriot amerikan, me ndërgjegje të pastër dhe kujtesë të gjallë, po flet në mbrojtje të Presidentit Thaçi dhe shokëve të tij. Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social “Facebook”.

Ai ka shtuar se shqiptarët sot nuk kërkojnë asgjë më shumë përveç drejtësisë, duke theksuar se Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre. Prandaj, drejtësi dhe vetëm drejtësi, asgjë më shumë nuk kërkon sot asnjë shqiptar anembanë botës. Sepse me SHBA-të në krah, dhe assesi ndryshe, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat më të mëdha!”, shkroi Krasniqi.

Ahmeti: Propaganda dashakeqe u çmontua sot në Hagë

Kryetari i BDI-së dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ali Ahmeti, tha se e vërteta del në sipërfaqe dhe të gjitha shpifjet dhe propaganda dashakeqe “u çmontuan” sot në Hagë.

“James, të falemnderit ty, falemnderit Shteteve të Bashkuara të Amerikes dhe botës demokratike që e perkrahu kushtrimin e popullit shqiptar për liri, demokraci dhe pavarësi”, tha Ahmeti.

“Lufta jonë për pragun e shtëpise ishte e drejtë, e duhur dhe e domosdoshme, prandaj dhe u përkrah nga Washingtoni, Brukseli, Londra, Parisi,Roma, Berlini dhe e gjithë bota liridashëse”, theksoi ai.

Spiropali: Do largojë njollat nga emri i UÇK-së

Për dëshminë e Rubin, ka folur edhe ministrja e emëruar për Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali.

Spiropali shkroi se paraqitja e provave dhe dëshmive do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së.

“Në Hagë nisën sot dëshmitë e mbrojtjes për çlirimtarët e Kosovës, të gjendur prej kohësh në pritjen e pafund dhe të pamerituar. Në këtë moment, kur paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së, drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë. Çdo vendosje ekuivalence mes akuzave të fajësisë mbi çlirimtarët dhe lirisë që ata sollën për shqiptarët e do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën, një pllakë turpi në historinë e popujve për liri dhe drejtësi”, shkroi ajo.

Çitaku: Dëshmia e Rubin, pasqyra më e qartë e historisë sonë të re

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se dëshmia e Rubin është pasqyra më e qartë e historisë së re të Kosovës.

“Në momentet kur janë qarë epokat, në ditët kur ne si popull kapërcyem shekujt brenda pak ditësh, nuk ishim vetëm. Nuk do të mundnim vetëm”.

“Por ia dolëm, sepse patëm lidership të mençur, që ditën të krijojnë miq edhe në rrethana lufte e okupimi. Dëshmia e Rubin sot në Hagë është pasqyra më e qartë e historisë sonë të re. Është dëshmi e lidhjeve që ndërtuam, e besimit që fituam dhe e rrugës së drejtë që zgjodhëm si popull”, ka shkruar nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Vasfije Krasniqi: UÇK nuk ishte vetëm një forcë ushtarake, ishte shpëtimtare dhe mbrojtëse e popullit

E mbijetuara e dhunës seksuale nga forcat serbe në Kosovë, Vasfije Krasniqi, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte thjeshtë forcë ushtarake, por sipas saj, pjesëtarët e saj ishin shpëtimtarë dhe mbrojtës të popullit.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi thotë se si kur ajo gjendej në një kohë të errët, ishte UÇK ajo që i ofroi ndihmë.

“Pas asaj që kisha përjetuar me 14 prill të vitit 1999, për mua pak apo fare nuk kishte shpresë. E gjendur në një zonë tërësisht të rrethuar nga forcat serbe, nuk e besoja që do të shpëtoja e gjallë. Si viktimë, ndihesha e thyer dhe e pafuqishme. Në atë kohë të errët, kur gjithçka dukej se po shkonte drejt fundit, aty erdhën luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk do ta harroj kurr atë moment!”

“Ata më ofruan ndihmën e parë, u kujdesën me aq sa kishin mundësi për jetën dhe shëndetin tim. Për mua, për ne, UÇK nuk ishte vetëm një forcë ushtarake, por ata ishin shpëtimtarë, mbrojtës të popullit të cilët e vunë vetën e tyre mburojë të trupave tanë, ata, dhanë jetën e tyre qe të vazhdonim ne jetën tonë”, ka shkruar ajo.

“Ato ditë kurr nuk i harroj! Do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time si momente kur unë ndjeja mbrojtjen e jetës sime me jetën e tyre. Faleminderit përjetësisht, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!!!”.

Limaj publikoi fotografi me Rubin: Kur koha kërkonte guxim dhe vendime të mëdha

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, publikoi një fotografi të shumë viteve më parë, që kishte bërë me James Rubin.

Limaj tha se ishin krah për krah, edhe atëhere kur koha kërkonte guxim.

“Atëherë kur koha kërkonte guxim dhe vendime të mëdha, ishim krah për krah. Sot, fjala e dhënë dhe e vërteta qëndrojnë po aq fuqishëm sa atëherë”, ka shkruar Limaj.

Ramadani: Fundi i gjykimit në Hagë duhet të jetë me lirim

Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë, deklaroi se gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë duhet të përfundojë me lirimin e tyre.

“Fundi duhet të jetë me lirim, anipse kjo nuk e lehtëson dhimbjen prej qasjes së deritashme të procesit në Hagë!”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Sipas tij procesi është përcjellë në vazhdimësi me shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ramadani e quajti “ndriçuese” dëshminë që po e jep sot në Hagë ish-zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shteit, James Rubin.

“Sot dëshmia e James Rubin edhe e rëndësishme, edhe ndriçuese”. 

“Edhe nga burgu, Hashim Thaçi e mban Amerikën në krah të Kosovës”

Deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, ka shkruar: “Edhe nga burgu, Hashim Thaçi e mban Amerikën në krah të Kosovës. Pas goditjes që i dha Amerika kryeministrit në ikje javën që shkoi, sot bota po e sheh Amerikën në Hagë, duke mbrojtur luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësin e saj, Presidentin Hashim Thaçi”.

Pas disa orëve dëshmi, Rubin sërish do vazhdojë nesër dëshminë e tij, me fillim nga ora 09:00. Ai po dëshmon me autorizim të Qeverisë Amerikane. /GAZETA ENGIMA

Related Articles