KFOR deklarohet për pjesëmarrjen e FSK-së në aksionin në Ujman: Ne i dhamë autorizimin

KFOR deklarohet për pjesëmarrjen e FSK-së në aksionin në Ujman: Ne i dhamë autorizimin



Në një njoftim të lëshuar, nga KFOR, theksohet se Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Enrico Barduani, autorizoi Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) të vendoste ekipe Kërkim-Shpëtimi (SAR) në zonën e liqenit Ujman, raporton Gazeta Enigma.

Sipas tyre autorizimi u dha në përputhje të plotë “me prerogativat dhe autoritetet e Komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur një burrë 33-vjeçar që raportohet se ka hyrë në liqen disa ditë më parë”.

Autorizimi është i kushtëzuar nga kërkesat specifike dhe i vendosur nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të ofrojë siguri gjatë gjithë operacionit.

“Përdorimi i ekipeve të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së bie nën mandatin e FSK-së, i cili përfshin mbështetjen për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”, thesohet tutje aty.

Ndërkohë, KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Në njoftim theksohet “KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”.

Related Articles