KFOR-i konfirmon: Xhandarët serbë hynë në Kosovë edhe më 15 tetor

KFOR-i konfirmon: Xhandarët serbë hynë në Kosovë edhe më 15 tetor

Më 1 nëntor, shtetasi serb i Kosovës Millosh Vukashinoviq, u plagos dhe u kidnapua nga xhandarmëria e Serbisë, në zonën e njohur si “pika zero” në afërsi të Leposaviqit, zonë kjo që i përket Republikës së Kosovës.

Por, ky nuk ishte rasti i vetëm që njerëz të uniformuar të Serbisë hynë brenda territorit të Kosovës në periudhën e fundit.

Një video e datës 15 tetor u publikua, ku shihen forca të armatosura serbe brenda territorit të Kosovës, përkatësisht në fshatin Metergoc të Podujevës, që është zonë kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

E kjo u konfirmua në një përgjigje për media nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë.

“Ne jemi në dijeni të kësaj ngjarjeje më 15 tetor. Ne ishim në kontakt me Forcat e Armatosura Serbe. Bazuar në informacionin e tyre, personeli i xhandarmërisë serbe po ndiqte individë të përfshirë në aktivitete të paligjshme të prerjes së pyjeve. Sapo kuptuan se kishin kaluar Vijën Kufitare Administrative (ABL), ata u kthyen menjëherë në anën e Vijës Kufitare Administrative të Serbisë”, thuhet në përgjigje.

Related Articles