Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, të mbajtura pa incidente të dielën e 23 prillit.
Në një komunikatë për media, thuhet se gjatë ditës së zgjedhjeve ky mision ka qëndruar në kontakt të ngushtë me të gjithë akterët, përfshirë Bashkimin Evropian, OKB-në, OSBE-në dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Për këtë qëllim, sipas komunikatës është thelbësore që të dyja palët të shmangin veprimet dhe retorikën përshkallëzuese dhe të fillojnë të zbatojnë angazhimet e tyre në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, “plotësisht dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mbështeten në arritjet e rëndësishme që janë bërë tashmë”.
Më tej është thënë se ky mision vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së dhe të sigurojë kornizën e nevojshme të sigurisë.
Kjo, që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ecë përpara.