Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha dje se me vendimin për shkarkimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po tenton që ta sulmojë Serbinë
Nga KGJK-ja thonë që ky vendim është marrë pa asnjë ndikim politik. KGJK u ka bërë thirrje insitucioneve dhe zyrtarëve publik që të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGJK-së, pasi sipas tyre çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur.
“Vendimi në fjalë është marrë pa asnjë ndikim politik, prandaj me këtë rast, KGJK u bënë thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve tjera të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGJK-së, pasi çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, një ditë më parë Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.