Doarsa Kica-Xhelili, e cila sot e zyrtarizoi kalimin e saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë se partia Guxo ishte e njohur për dorëheqjen e saj muaj më parë, jo vetëm tani ditëve të fundit.
Deputetja ka deklaruar se Donika Gërvalla dhe Faton Peci, të dy drejtues të Guxo, ishin të informuar për largimin e saj.
“Njoftimin për tërheqjen, para se të ndodhë kjo që ka ndodhur këto ditë, Donika Gërvalla dhe Faton Peci e dinin se nuk do të merresha më me Guxo, një muaj apo dy muaj para dorëheqjes reale, më 5 gusht ua dorëzova edhe dorëheqjen zyrtare me shkrim”, ka thënë Kica.
Ajo tregoi edhe arsyen se pse nuk u deklarua për media pas raportimeve për dorëheqjen e dhënë.
“Sapo shkova për pushime, doli në media se jam larguar nga Guxo. Nuk jam përgjigjur sepse për mua korrektësia është shumë e rëndësishme, një copë rrugëtim e kam bërë bashkë me Guxo. Rrjedhimisht, ajo çfarë kam thënë është se do të pres derisa të përmbyllen të gjitha procedurat e kuvendeve zgjedhore. Kjo ishte edhe ajo që ua premtova se do ta bëj”, ka thënë Kica në KlanKosova.tv.