30 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur sot rreth orës 16:00 në rrugën nacionale Prishtinë – Pejë, saktësisht në fshatin Vragoli. Në aksident u përfshinë një kamion, një veturë dhe autobusi i ‘Graniti Trans’ nga Presheva i cili po bartte nxënësit që ishin në ekskursion.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve, ka folur mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, i cili tha se atje janë dërguar 13 persona, prej tyre shtatë nxënës.
“Rreth orës 18:30 janë sjellë 13 persona prej aksidentit ku 7 prej tyre janë nxënës. Të gjithë e kanë marrë trajtimin dhe gjithë janë lëshuar në shtëpi pasi s’kanë pasur lëndime të rënda”, tha Syla.
Për aksidentin ka folur edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili tha se në autobus kanë qenë maturantë që ishin duke u kthyer nga ekskursioni dhe se komuna së bashku me agjencinë kanë siguruar transportin zëvendësues për të vazhduar rrugëtimin.