Bosnja e Hercegovina sot shënon 26 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës ditë më parë miratoi rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, e cila përmban këto pika:
Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut.
Konstaton dhe pranon se, pas pushtimit të Srebrenicës nga forcat ushtarake të URS, të njëjtat për disa ditë kanë kryer masakra në Srebrenicë dhe rrethinë, duke vrarë e masakruar mbi 8000 burra, djem dhe të mitur boshnjakë.
Ndjen dhe shpreh pikëllimin e thellë për njerëzit e pafajshëm që kanë pësuar në gjenocidin e Srebrenicës, gjatë luftës së përgjakshme në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe iu shpreh ngushëllime anëtarëve të mbijetuar të familjeve.
Dënon fuqishëm çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.Fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë e Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpall ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.
Fton të gjitha shtetet që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.