Në shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” të enjten u raportuar se është vendosur një ikonë e cila ndalon mbulesën në ambientet e kësaj shkolle.
Kjo bëri bujë të madhe dhe pati reagime të shumta, në të cilat dënohej ky akt diskriminues.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ku ka thënë se ky veprim është diskriminues, paragjykues dhe kundër të drejtave dhe lirive të njeriut.
“KMDLNj kërkon nga DKA në Gjakovë që menjëherë ta largojë atë shenjë diskriminuese nga shkolla në fjalë, t’u kërkojë falje publike besimtarëve që janë ndier me të drejtë të fyer sikur që të kursehen nga fjalët e rënda ofenduese që nuk janë në përputhje as me doktrinën fetare e as asaj morale, dhe të vazhdohet të forcohet besimi, durimi dhe toleranca ndërfetare në Gjakovë që ka qenë shembull i mirë edhe për komunat e tjera në Kosovë ku kanë bashkëjetuar komunitetet dhe besimet e ndryshme fetare në një mjedis mirëkuptimi”, thuhet në reagim.
KMDLNJ gjithashtu ka kërkuar nga institucionet që kjo çështje të rregullohet me ligj të veçantë, e mos të mbetet peng i një udhëzimi administrativ.
“Bartja e shamisë pati nxitur shumë debate, sidomos viteve të fundit, dhe KMDLNj ka kërkuar të rregullohet specifikisht me ligj kjo çështje, ndërkaq konsideron se vajzave dhe femrave që kanë bartur shami u janë shkelur të drejtat e njeriut, si në shkollë ashtu edhe gjatë konkurimit për një vend pune, ku përcaktuese për mospranim nuk ka qenë mospërgatitja profesionale, por bartja e shamisë, ndonëse në vendim për refuzim nuk thuhet ashtu”, thuhet tutje në reagimin e KMDLNJ.