Knaus: Me lobim të Vuçiqit, Franca dhe Gjermania po përgatiten ta bllokojnë Kosovën në KiE

Knaus: Me lobim të Vuçiqit, Franca dhe Gjermania po përgatiten ta bllokojnë Kosovën në KiE

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se disa vende, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, po përgatiten të bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës (KE).

Përmes një postimi në X, Knaus tha se një grup shtetesh po përgatiten të veprojnë kundër rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku thuhet se Kosova i ka plotësuar kriteret për të qenë pjesë e organizatës.

“Aktualisht, disa qeveri të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Francës, po përgatiten të bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës, duke injoruar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të dhënë në prill”, ka shkruar Knaus.

Sipas tij, një bllokim i tillë vjen pas një fushate të presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kjo pason një fushatë të presidentit të Serbisë, Vuçiq, duke përfshirë thirrjen e tij personale drejtuar presidentit [të Francës, Emmanuel] Macron, që të mos lejojë votimin – dhe një zotim serb për të blerë 12 avionë luftarakë francezë Rafale”, ka shkruar Knaus.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare votoi pro raportit që rekomandonte anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Çështja tani është në duart e ministrave të jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët përfundimisht duhet të vendosin nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Komiteti i Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës mblidhet një herë në vit, tradicionalisht në maj.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg, Francë, e themeluar në vitin 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe medias, barazinë dhe pakicat në vendet anëtare.

Një nga përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNj).

Serbia gjatë mbledhjes së Asamblesë Parlamentare kishte kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësim. Megjithatë, ky kusht nuk mori mbështetje.

Related Articles