Avokati, Arianit Koci, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka kritikuar sjelljen e Policisë së Kosovës në raport me protestën organizuar nga PSD-ja kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Për sjelljen e Dardan Molliqajt në raport me policin gjatë protestës për Kocin është e papranueshme.
“Por, këto situata ndodhin në protesta. Kryesi i një veprimi të ndaluar me ligj, sanksionohet. Prandaj ekziston përgjegjësia penale apo politike”.
Njëherit ai ka shtuar se “kur pengohet apo sulmohet në detyrën e vet, polici ka të drejtë ligjore, por edhe morale, me u mbrojt. Me e përdorë forcën proporcionale për neutralizimin e sulmuesit”.
Sipas Kocit, pas veprimeve të Molliqajt ai ka mundur të arrestohet dhe të shoqërohet për në stacion policor.
“Nëse në rastin konkret, polici nuk e ka mbrojtur vetën. Nëse se ka mbrojtur vetën, si do të na mbroj neve-në rast nevoje? Shteti e ka aparatin e dhunës në dorë. Duhet ta përdorë, kur e vlerëson që është e nevojshme. Në këtë rast, ka dështuar”, ka theksuar Koci.
Avokati hedh dyshime që mos reagimi i policisë ka ardhur nga fakti se Molliqaj përfaqëson një subjekt politik, pasi sipas tij tjera reagime kanë ndodhur me qytetarët e thjeshtë.
“Dështimi është edhe më i madh, kur e dimë që Dardani është fytyrë publike-kryetar i një partie politike. A kishte ndodh ky tolerim, po të ishte në vend të Dardanit, ndonjë anonimus? A e dini, sa persona janë proceduar për pengim të personit zyrtar? Për sulm, as të mos flasim”.
Koci ndër të tjera ka theksuar se pa asnjë dilemë do të ishte i gatshëm të mbrojë Molliqajn në raste të ndonjë procedimi të tij.
“Kështu funksionon drejtësia”, ka përfunduar Koci. /Gazeta Enigma/