Komandanti i FSK-së në SHBA: FSK e gatshme për pjesëmarrje në misione të përbashkëta me ushtrinë amerikane

Komandanti i FSK-së në SHBA: FSK e gatshme për pjesëmarrje në misione të përbashkëta me ushtrinë amerikane

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, me ftesë të gjeneral Daniel R. Hokanson, Shef i Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-ve qëndroi në Washington DC, për konferencën e shënimit të 30 vjetorit të themelimit të Programit të Partneritetit Shtetëror (State Partnership Program-SPP) të Gardave Kombëtare.

Në njoftimin për media të FSK-së thuhet se së bashku me homologun nga GK e Iowas Gjeneral Osborn, patën rastin që të mbajnë një varg takimesh të rëndësishme në funksion të bashkëpunimit dhe aktiviteteve.

Jashari falënderoi SHBA-të për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën dhe FSK.

“Gjeneral Jashari konfirmoi gatishmërinë e FSK-së për pjesëmarrje në misione të përbashkëta me ushtrinë amerikane dhe në aktivitete e trajnime tjera në funksion të mbajtjes dhe zhvillimit të aftësive të ndërveprimit me forcat partnere”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Jashari takoi edhe gjeneral brigade Andrew Camacho, zëvendëskomandant i Gardës Kombëtare të Teksasit dhe delegacionin e tij.

“Takimi u shfrytëzua për t’ju uruar mirëseardhje në Kosovë trupave nga Teksasi, dhe për të konfirmuar gatishmërinë e FSK, për vazhdim të bashkëpunimit. Vlen të theksohet se trupat nga Teksas para pak ditësh morën rotacionin e trupave amerikane në Komandën Rajonale – Lindje (RC-E) në kampin Bondsteel me mision në kuadër të misionit të KFOR-it.

Gjeneral Camacho falënderoi Gjeneral Jasharin për pritjen dhe konfirmoi gatishmërinë për vazhdim dhe fuqizim te bashkëpunimit te ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Related Articles