“Aktualisht situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është e qetë, por shumë e brishtë, e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme, për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura”, tha komandanti i KFOR-it në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia, në takimin e krerëve ushtarakë të NATO-s në Bruksel.
Takimi dyditësh i komitetit ushtarak të NATO-s, organi më i lartë i aleancës veri-atlantike, është udhëhequr nga shefi i këtij komiteti, admirali Rob Bauer, dhe kanë marrë pjesë edhe komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjenerali Christopher Cavolli dhe komandanti Suprem i Aleancës për Transformim, gjenerali Philippe Lavigne.
Admirali Bauer tha se ushtarët në uniformë të KFOR-it janë duke e bërë maksimumin në ruajtjen e paqes, por sipas tij, përgjigja nuk duhet të jetë vetëm mbi ushtarët, ngase “ka nevojë për përgjegjësi politike”.
Situata në Kosovë ka qenë temë ditën e dytë të këtij takimi, ku kanë marrë pjesë edhe krerët ushtarakë të vendeve që kanë ushtarë në misionin e KFOR-it në Kosovë, e të cilat nuk janë anëtare të NATO-s.
Komandanti i KFOR-it ka përsëritur qëndrimin se ky mision është i gatshëm dhe ka kapacitetet e nevojshme të veprojë nëse duhet.
“Për aq kohë sa do të ketë rritje të tensioneve, pasiguria në mesin e popullatës eskalon. Një incident i vetëm rrezikon të dëmtoj arritjet e disa viteve në krijimin e paqes dhe sigurisë”, tha ai.
KFOR-i ka më shumë se 3.700 ushtarë në Kosovë, një numër i konsiderueshëm i të cilëve vinë nga vendet që nuk janë anëtare të NATO-s./REL