Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka vizituar Kampin Bondsteel, ku u takua me personelin e Komandës Rajonale Lindje (RC-E) të misionit të NATO-s në Kosovë.
Gjatë vizitës, Barduani u prit nga komandanti i Komandës Rajonale Lindje, Jonathan Lloyd, i cili, siç bëhet e ditur në një njoftim, e informoi detajisht mbi operacionet e vazhdueshme të komandës dhe aktivitetet e përditshme si pjesë e misionit të KFOR-it.
“Pas informimit, Gjeneral Major Barduani vizitoi një ekspozitë armësh dhe pajisjesh të organizuar nga Garda Skoceze, e vendosur në Kosovë si pjesë e Forcës Rezervë të NATO-s për qëllime trajnimi. Ekspozita ofroi një pasqyrë të automjeteve, sistemeve dhe aftësive në dispozicion të njësive.”, thuhet në njoftim.
“Në përfundim të vizitës së tij, Gjeneral Major Barduani përgëzoi të gjithë personelin për profesionalizmin, përkushtimin dhe kompetencën e tyre, duke nënvizuar rëndësinë e kontributit të tyre në misionin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.”, përfundon njoftimi i KFOR-it.