Komandanti i forcave paqeruajtëse të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia tha të premten se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës tregojnë se situata mbetët e paqëndrueshme dhe shumë lehtë mund të përshkallëzohet ndërsa paralajmëroi shtimin e trupave të NATO-s në terren.
Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Prishtinë, në prag të përfundimit të mandatit të tij, gjatë së cilës tha se situata është bërë më e vështirë për t’u menaxhuar për shkak të një sërë faktorësh ndërhyrës dhe veçanërisht mosbesimit ndërmjet palëve.
“Të gjitha këto ngjarje tregojnë se situata mbetët e paqëndrueshme dhe shumë lehtë mund të përshkallëzohet. Për shkak të ngjarjeve të fundit, misioni i KFOR-it ka shtuar praninë dhe veprimtaritë në Kosovë dhe NATO ka autorizuar shtimin e forcave shtesë për të trajtuar situatën”, tha ai.
Zoti Ristuccia tha se janë duke u zhvilluar hetime për ngjarjet e 24 shtatorit dhe KFOR-i ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të ulur rrezikun. Ai tha se është shumë herët të dihet se prej nga kanë ardhur armët në Banjskë.
“Me siguri qëllimi i kryerjes së krimit ishte padyshim që të krijohet një destabilitet dhe kaos”, tha ai
Ai tha se përveç Britanisë së Madhe edhe Rumania do të vendos trupa shtesë në Kosovë.
“Këta janë hapa për të dëshmuar dhe për të siguruar aftësinë e KFOR-it me forca të nevojshme për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha ai.
Ristuccia tha se vetëm zgjidhja politike mund të sjellë një paqe dhe qëndrueshmëri të pakthyeshëm në zonë.
“Kjo është arsye pse KFOR-i mbështetë plotësisht dhe do të vazhdojë të ofrojë punën e nevojshme të sigurisë për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, që synon normalizimin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
Ai tha se mandati i KFOR-it është i qartë dhe sundimi i ligjit mbetet e drejtë ekskluzive e policisë së Kosovës, me të cilën misioni i EULEX-it dhe KFOR-i bashëkrendohen.
Zyrtarët gjermanë të mbrojtjes thanë të premtën se Gjermania do të dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë në prill të vitit të ardhshëm si kontribut për misionin e KFOR-it. Sipas zyrtarëve gjermanë, vendimi nuk ka të bëj me tensionet aktuale në veri të Kosovës por për të kompensuar tërheqjen e trupave austriake.
Kosova e akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit të 24 shtatorit dhe për përpjekje të aneksimit të veriut të Kosovës, ndërsa autoritetet serbe kanë mohuar akuzat duke nënvizuar se nuk kanë asnjë synim për të sulmuar këdo qoftë në rajon./VOA