Dy emra kanë shkuar për votim në Kuvend dhe njëri prej tyre pritet të zgjidhet drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Favorit është Yll Buleshkaj, që konsiderohet i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, pas disa veprimeve brenda KQZ-së, kur Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë të LVV-së nuk u lejohej kandidimi në zgjedhjet e 14 shkurtit. Rekomandimet e Buleshkajt atë kohë i duatrokiste LVV-ja para zgjedhjeve. Tash mori vlerësimin më të madh.
Komisioni parlamentar, që e mbikëqyr Agjencinë Kundër Korrupsionit, i ka rekomanduar Kuvendit dy kandidatë, për ta zgjedhur njërin kryetar të AKK-së.
Në vlerësim kanë marrë pjesë katër anëtarë të komisionit nga LVV-ja, përfshirë kryesuesit Adnan Rrustemi dhe dy nga opozita. Pikë pak më shumë i janë dhënë Ylli Buleshkajt, për ta çuar në Kuvend si më të vlerësuarin. Në vlerësim kanë munguar Besnik Tahiri dhe Blerta Deliu nga opozita, si dhe minoritetet.
Lëvizja “FOL” e ka monitoruar procesin e vlerësimit të kandidatëve. Përfaqësuesja e “FOL”, Mexhide Demiri përmend një vendim të Buleshkajt, si drejtor i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikimi i Kandidatëve, në favor të Lëvizjës Vetëvendosje.
“Agjencisë Kundër Korruspion i duhet një drejtor me etikë dhe integritet të lartë. Dhe, ne të gjithë e dimë vendimin e marr në favor të partisë në pushtet nga kandidati me i vlerësuar ne këtë proces”, ka thënë Demiri për Gazetën Express, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Si është i njohur Buleshkaj në konfliktin KQZ-LVV?
Gjykata Kushtetuese, përmes një aktgjykimi të publikuar në fund të 2020-s, argumentoi se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. I binte që, kryeministrit i tanishëm Albin Kurti, nuk do të mund të ishte pjesë e listës në zgjedhjet që do të mbaheshin
Kjo nisi një konflikt mes ish-udhëheqëses së Komisionit Qendror Zgjedhor, Vladete Dakës, dhe gjithë Lëvizjës Vetëvendosje. Ajo thoshte se do t’i bindej vendimit të Kushtetueses, ndërsa partia e akuzonte se po dëshironte t’i dëmtonte.
Ndërsa Buleshkaj, si drejtor i zyrës për regjistrim, i rekomandonte KQZ-së që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët ishin në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike në zgjedhjet e 14 shkurtit, edhe pas vendimit të Kushtetueses.
Buleshkaj rekomandonte që të certifikoheshin të gjitha partitë si pako, dhe këtë e duartrokiste Adnan Rrustemi i LVV-së, që sot e kryeson komisionin ku mori vlerësimin Buleshkaj.
“Qëndrim dhe vlerësim profesional i Zyres [Zyra që e drejton Buleshkaj]. Rekomandimi i Zyrës nuk mund të ndryshohet nga anëtarët e KQZ-së që vijnë nga partitë politike. Sot KQZ-ja e ka përpara rekomandimin për të certifikuar kandidatët. Çfarëdo veprimi tjetër do të ishte antikushtetues dhe krejtësisht politik për të luftuar një subjekt politik siç është Lëvizja”, kishte shkruar Rrustemi në facebook gjatë janarit.
Demiri nga “FOL”, që e ka monitoruar procesin, thotë se Buleshkaj ka pasur paraqitje të mirë gjatë intervistimit, por nuk u duket me integritet për shkak të ndërlidhjeve me partinë në pushtet.
“Nuk ka dyshime për paraqitjen e mirë të tij në intervistë, se kemi qenë edhe monitorues direkt te ketij procesi, por qe në këtë rast kemi të bëjmë me integritetin e personit”, ka thënë Demiri.
Komisioni për përzgjedhje është përbërë nga katër deputetë të Lëvizjës Vetëvendosjes, një i LDK-së dhe një i PDK-së.
Votimi i kandidatëve për drejtor të Agjencisë, bëhet me votim të fshehtë.
Mandati i drejtorit të Agjencisë është 5 (pesë) vjet./Gazeta “Enigma”/