Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti sot ka miratuar Projektligjin për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve.
Arsyetimin e projektligjit në mbledhjen e të mërkurës e dha ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Para anëtarëve të komisionit, ajo tha se nevoja për këtë projektligj është mbrojta e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve.
“Sa i përket sigurisë së produkteve, arsyeja kryesore për rregullimin e kësaj fushe përmes këtij projektligji është sigurimi i një niveli më të lartë të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve që përdorin produktet, si dhe përdoruesve të tjerë që përdorin produktet për nevoja të tyre në kryerjen e veprimtarive të tyre profesionale. Rrjedhimisht do të sigurojë vendosjen në treg të produkteve ekskluzivisht të sigurta dhe do të parandalojë prodhimin, importin dhe eksportin të produkteve mashtruese”, tha ajo.
Ministrja tha se pas një analize të bërë nga MINT, janë vërejtur shumë parregullsi të vendosjes së produkteve në treg. Andaj, ka qenë e nevojshme të plotësohet legjislacioni në fuqi.
“Në tërësi pas një analize të mirëfilltë dhe krijimit të koncept-dokumentit janë vërejtur shumë parregullsi të vendosjes së produkteve të treg që kanë sjellë në vështirësi edhe identifikimin e rrezikshmërisë së produktit dhe kanë cenuar sigurinë publike të konsumatorëve”, tha ajo.
Krahas kësaj, ministrja Hajdari tha se ky projektligj është harmonizuar me Ligjin për Kundërvajtje. Votën pro këtij projektligji e dhanë edhe anëtarët e komisionit nga radhët e opozitës.