Komuna e Gjilanit nisë vitin pa buxhet për 2025, PDK dhe LDK ende të pabindura për ta votuar

Komuna e Gjilanit nisë vitin pa buxhet për 2025, PDK dhe LDK ende të pabindura për ta votuar

Në 2025 e pa buxhet për vitin 2025. Në këtë gjendje është Komuna e Gjilanit, e cila ende nuk ka arritur që t’i mbledhë votat për miratimin e buxhetit për këtë vit.

Ani se kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, në muajt e fundit të vitit të kaluar tentoi t’i bindë opozitarët që ta votojnë buxhetin, madje duke i kërcënuar me shpërbërje të Kuvendit, një gjë e tillë nuk i bindi asamblistët e PDK-së dhe LDK-së.

PDK e LDK në pritje të ndryshimeve në disa pika

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, Riad Rashiti, tha për Gazetën Enigma se po pret që buxheti të vijë sërish për miratim në Kuvend, ku aty do të vlerësojnë nëse janë tërhequr pikatë të cilat sipas tij, kanë “shkelje të shumta”.

“Kur të vjen buxheti komunal për miratim, sipas procedurave ligjore, pas konsultimeve publike me qytetarë dhe pas respektimit të udhëzimit që ministria financave ia ka drejtuar komunës së Gjilanit sepse ka bërë shkelje të shumta, atëherë ne si PDK do të japim qëndrimin tonë në seancën e Kuvendit Komunal kurdo që mbahet ajo”, tha Rashiti në një prononcim për Gazetën Enigma.

Më herët, Rashiti pati theksuar se planifikimi i këtij buxheti nuk është në interes të qytetarëve.

“Planifikimi i buxhetit 2025 është bërë shkel e shko dhe nuk është bërë në interesin e qytetarëve të Gjilanit, por është i menduar mirë qysh me e rrit buxhetin më shumë te kodet buxhetore ku mund të keqpërdoret lehtë, si te subvencionet dhe mallra e shërbime. Keqpërdorime që janë dëshmuar edhe në dy vitet tjera 2023/24”, pati deklaruar ai.

Madje, për këtë buxhet, Rashiti ka thënë se është i imponuar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, me synim fushate.

“Marr parasysh që në vitin e ardhshëm janë dy palë zgjedhje, nacionale dhe lokale, buxhetin e komunës kryetari i Gjilanit e ka propozuar tipike për fushatën e tij zgjedhore. Sepse krejt ky planifikim buxhetor është i imponuar nga vet ai”.

Kundër edhe LDK-ja

Asamblistja e LDK-së në Gjilan, Shpresa Kurteshi-Emini, thotë për “Enigmën” se ekzekutivi në Gjilan “nuk është munduar fare të bëj rishikimin e hartimit te buxhetit” dhe se ende nuk ka ofruar alternativë për ta fituar mbështetjen nga kjo parti.

“Grupi i Këshilltarëve të LDK-së, i ka bërë të kjarta qëndrimet rreth votimit të Buxhetit 2025. Fatkeqësisht, ekzekutivi nuk është munduar fare të bëj rishikimin e hartimit te buxhetit dhe ende nuk ka ofruar alternative tjeter tek ne. Kjo pikë nuk është në rend të ditës së takimit te Komiteti për Politikë dhe Financa, që do të mbahet më 22 të ketij muaji!”, deklaroi Kurteshi-Emini.

AAK-ja pro

Ndryshe nga dy partët tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Gjilan është pro për ta votuar buxhetin, ani se edhe kryetari i kësaj dege në Gjilan, Nazim Gagica, thotë se buxheti ka keqplanifikim.

“Ne për buxhetin jemi deklaru edhe publikisht që e përkrahim, ia kemi dhënë votën si Aleancë buxhetit, realisht edhe e kemi kalu ngërçin për bartjen e një pjese të mjeteve. Buxheti duhet votuar, ne nuk e mbajmë peng, pavarësisht që kjo qeverisje dëshiron me u viktimizu në lidhje me buxhetin. Realisht, tash jemi në fazën kur duhet me i dhënë përkrahje buxhetit, pavarësisht keqplanifikimit, për hirë të qytetarëve. Që qytetarët të mos mbesin peng e buxhetit, buxheti duhet me ecë, por vërejtjet tona për keqplanifikim gjithsesi që janë. Nuk është planifikuar sipas nevojave dhe kërkesave të qytetarëve, por sipas këshillit të referencave të politikës”, deklaroi Gagica për Gazetën Enigma.

“Momenti i fundit është që deri në shkurt kjo punë me u kry”, shtoi ai.

Përveç Gjilanit, edhe Komuna e Prishtinës kishte mbetur në gërç për ta kaluar buxhetin, por se në fund të vitit arritën që ta kalojnë.

Ismajl Kurteshi, tha për “Enigmën” se LVV bashkë me Hysnin në Gjilan planifikon që në fund të këtij muaji të mbahet një mbledhje tjetër, ku do të kërkohet nga opozita që të përkrahet votimi i buxhetit.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 50 përcakton se Kuvendi i Komunës konsiderohet jo funksionuse mes tjerash edhe nëse nuk miraton buxhetin sipas afatit të paraparë me ligjin.

Pastaj, Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale e njofton Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e komunës.

Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin e komunës jofunksionues. Më pas, zgjedhjet e reja për kuvendin e komunës mbahen në pajtim me ligjin për zgjedhjet komunale.

Alban Hyseni i LVV-së në fillim të mandatit të tij kishte bërë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Mirëpo nga 06.06.2023 Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë ndërprerë bashkëpunimin për qeverisje në komunën e Gjilanit.

Kësisoji pa një parti opozitare, Hyseni nuk i ka votat e mjaftueshme në asamble. /GAZETA ENIGMA

Related Articles