Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se është konfirmuar një rast me variantin afrikan të COVID-19, raporton Gazeta Enigma.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Instituti ka bërë me dije se pacienti është i hospitalizuar dhe se po trajtohet në Klinikën Infektive.
“Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja. Rastet e tilla të virusit mutagjen janë regjistruar tashmë në shumë vende të botës. Ekipet hulumtuese të IKSHPK po gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut”, ka njoftuar IKSHP’ja.
Instituti ka bërë me dije se masat parandaluese janë të njëjta, derisa ka bërë thirrje për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
“Personat të cilët rezultojnë pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit. IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.