Konfirmohet takimi për çështjen e dinarit më 27 shkurt

Konfirmohet takimi për çështjen e dinarit më 27 shkurt

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka konfirmuar se emisari evropian për dialog Miroslav Lajçak ka planifikuar mbajtjen e një takimi mes Kosovës e Serbisë më 27 shkurt në Bruksel, ku do të diskutohej për çështjen e dinarit.

Ftesa që Lajçak e ka dërguar në Prishtinë dhe Beograd, sipas Stanos, ka vijuar pas takimeve të cilat shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, i ka zhvilluar në Munih me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ku është diskutuar pikërisht për vendimin e BQK-së.

Stano nënvizoi se në letrën ftesës nga Miroslav Lajçak nuk është specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe Serbinë, sepse kjo gjë u është lënë palëve.

“Me fjalë të tjera, BE-ja po përpiqet të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për një problem të krijuar nga një vendim i pakoordinuar i njërës palë, i cili nuk i është komunikuar paraprakisht popullatës së prekur. Shpresojmë që z. Bislimi do ta vlerësonte përpjekjen në vend që të akuzonte në mënyrë të pavend dhe pa bazë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, porositi Peter Stano në një prononcim me shkrim dërguar medieve.

Këto komente të zëdhënësit të Brukselit erdhën një ditë pasi që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj kërkesës së Brukselit për takim në javën e ardhshme për çështjen e dinarit, me arsyetimin se kjo temë nuk është pjesë e dialogut.

Sipas zëdhënësit të BE-së vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës ndikoi seriozisht popullatën serbe të Kosovës dhe komunitetet e tjera në mbarë Kosovën, në veçanti mbështetjen financiare që ata e marrin nga Serbia.

Mungesa e konsultimeve paraprake, sipas Stanos, do të thotë se nuk ka alternativa në këtë moment dhe ka ndikim të veçantë negativ në shkolla dhe spitale.

 Ai bëri thirrje edhe një herë që kjo çështje të trajtohet në dialog, si platformë e vetme për të gjetur zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është përsëritur nga BE-ja, vendet anëtare të saj dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë në raste të panumërta. Qëndrimi jokonstruktiv i autoriteteve të Kosovës, dështimi dhe mungesa e angazhimit vetëm sa e largojnë edhe më shumë Kosovën nga perspektiva e saj evropiane”, tërhoqi vërejtjen zëdhënësi Stano./RTK

Related Articles