Konfiskohen mbi 122 mijë euro dhe valutë e huaj gjatë tentimit të mosdeklarimit në kufi

Konfiskohen mbi 122 mijë euro dhe valutë e huaj gjatë tentimit të mosdeklarimit në kufi

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka parandaluar një rast të tentimit të mosdeklarimit të mjeteve monetare në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.

“Rreth orës 09:15, në hyrje të PKK Dheu i Bardhë është paraqitur një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i huaj i Republikës së Rumanisë me gjithsejt 4 udhëtarë. Gjatë pyetjes standarde doganore lidhur me posedimin e mjeteve monetare mbi pragun e lejuar ligjor prej 10 mijë euro për person, pala është deklaruar se nuk posedon mjete për deklarim”, thuhet  në njoftimin e doganës.

Tutje bëhet e ditur se fillimisht në një çantë dore janë gjetur 32 mijë e 500 euro, e që pas kësaj automjeti është dërguar në vijën e dytë të kontrollit ku është kryer kontrolli i detajuar, dhe gjatë këtij kontrolli  në bagazhin e automjetit, përkatësisht në hapësira të fshehura në pjesën e akumulatorit dhe nën plastikën e gomës rezervë, janë zbuluar edhe 90 mijë e 100 euro shtesë, si dhe 4 mijë e 187 lei rumunë (rreth 800 euro).

Pra në total  janë zbuluar dhe sekuestruar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej 122 mijë e 600 euro si dhe 4 mijë 187 lei rumunë (rreth 800 euro).

“Rasti është përcjellur për hetime të mëtejme, derisa Dogana e Kosovës rikujton se, në përputhje me legjislacionin në fuqi, çdo person që hyn ose del nga territori doganor i Kosovës dhe bart mjete monetare në vlerë mbi 10 mijë euro është i obliguar t’i deklarojë ato. Mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave përkatëse administrative dhe ligjore”, thuhet tutje.

Related Articles