Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës ka futur në turbullira skenën politike, ndërkohë që transparenca ndaj popullit është diçka që nuk shihet, shkruan Gazeta Enigma.
Përderisa të gjithë mendonin se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, do ta përkrahte presidenten e tanishme, Vjosa Osmanin, për një mandat të dytë, në fund, LVV prezantoi se kandidat ministrin e tanishëm të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën.
LVV e cilësoi Konjufcën si një figurë konsensuale dhe të përshtatshme për këtë pozitë.
Megjithatë, pas propozimit, në konferencë për media doli kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se nuk mund të thërrasë seancë për votimin e presidentit, pasi nuk janë dy kandidatë për president. Ajo u bëri thirrje partive opozitare që ta prezantojnë një kandidat.
E gjithë kjo la në pikëpyetje tendencat e LVV-së, pasi me 66 deputetë (përfshirë pakicat), kjo parti shumë lehtë mund ta propozojë edhe një kandidat, “sa për sy e faqe”.
Në anën tjetër, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se presidentja e tanishme, Vjosa Osmani, nuk ka pranuar që të mblidhen nënshkrimet për të, në mënyrë që të jetë kandidate zyrtare. Kjo shpejtë u demantua nga vetë Osmani, duke e quajtur një gënjeshtër.
Mbrëmjen e së mërkurës, akuzat e kundërkuzat mes Presidencës dhe Lëvizjes Vetëvendosje “vlonin”.
Mes gjithë kësaj mesele, nuk dihet kush do të jetë kandidat i dytë për president apo nëse do ketë kandidat të dytë, dhe çka ndodhë nëse nuk mbahen seancat fare për zgjedhjen e presidentit.
Afati i fundit për inicimin e procedurave për zgjedhjen e një presidenti, është sot (5 mars).
“Inicimi i procedurave duhet të hapet sot, por ka 2 muaj kohë për emërimin e presidentit të ri”
Eksperti i ligjeve të Republikës së Kosovës, Anton Nrecaj, në një prononcim për Gazetën Enigma, thotë se sot është afati i fundit për fillimin e procedurave për emërimin e presidentit të ri.
Megjithatë, sipas tij, kjo nuk do të thotë se sot medoemos duhet të emërohet presidenti i ri.
“Është shumë e rëndësishme që sot të nisë procedura për zgjedhjen e Presidentit. Pra hapi i parë është ky. Inicimi duhet të fillojë 30 ditë para se të përfundoj mandati, që i bie sot. Sipas rregullores së Kuvendit, ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, dhe Kushtetutës, duhet me patjetër me u shpallë zyrtarisht inicimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit, nga ana e kryetares së Kuvendit. Pastaj vjen verifikimi i nënshkrimeve nga deputetët dhe hapat tjerë”, tha Nrecaj.
“Por, nëse sot nuk iniciohet procedura, atëherë vendi automatikisht shkon në zgjedhje. Nëse iniciohet procedura, atëherë afati për zgjedhjen e presidentit mund të zgjasë deri në 60 ditë, pra deri më 5 maj, ka kohë që të votohet presidenti”, sqaroi Nrecaj në prononcimin për “Enigmën”.
“Ligji thotë që 30 ditë para skadimit të mandatit të fillojë procedura për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërkohë që praktika kushtetuese lejon 30 ditë të tjera, të cilën e ka arsyetuar, duke thënë se ‘është e rëndësishme ruajtja e funksionimit të institucioneve të shtetit. Pra ju lejon hapësirë 30 ditë partive në Kuvend, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për presidentin”.
“Nëse nuk ka zgjedhje, atëherë vendi shkon në zgjedhje”.
Pas 5 prillit, Presidenca në duart e Albulena Haxhiut?
Nëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të shkojë deri më 5 maj, kjo i bie se pas 5 prillit, kur përfundon mandati i Osmanit, drejtimin e Presidencës e merr kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Mes gjithë kësaj, ka pasur zëra se ky në fakt mund të jetë një skenar i LVV-së, në mënyrë që Haxhiu, si ushtruese e detyrës së presidentes, mund t’i shërbejë interesave të LVV-së, për të dekretuar emërimet në gjyqësor dhe prokurori.
Njohësi i ligjeve, Nrecaj, thotë se ushtruesi i detyrës së presidentit i ka kompetencat e kufizuara, por se në fakt mund të dekretojë emërime, kur është në rrezik funksionimi i shtetit.
“Pozita si ushtrues detyre nuk mund të mbahet për më shumë se 6 muaj. Ushtruesi i detyrës ka rol simbolik. Nuk ka kompetenca të plota ligjore. Haxhiu mundet më pastaj të bëj dekretime, por këto mund të kontestohen nga Gjykata Kushtetuese. Nëse nënshkruan marrëveshje apo gjëra të tillë përderisa është në rolin e ushtrueses së detyrës, në këtë mënyrë e shkel ligjin. Ushtruesi i detyrës është vetëm për funksionimin e institucioneve të shtetit. Por, në rast se kemi të bëjmë me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, kjo mund të bëhet, për shkak se është në pyetje funksionimi i Gjykatës Kushtetuese. Pasi pa gjyqtarë, i bie se Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit”, deklaroi Nrecaj.
“Fazë e pakjartë, e pa parovuar ndonjëherë”
Njohësi i çështjeve politike, Xhavit Drenori, tha se vendi po hyn në një fazë të pakjartë, të paprovuar ndonjëherë në Republikën e Kosovës.
“Unë ende besoj që këto orë që na kanë mbetur, të ketë lëvizje, sepse e gjithë klasa politike e di që zgjedhjet nuk janë zgjidhje për askënd, e aq më pak për shtetin tonë dhe qytetarët tanë”, tha Drenori për Gazetën Enigma.
“Pas 5 marsit kemi paqartësi ligjore. Ligji nuk e ka definuar kjartë. Sipas disa njohësve, mund të shkojmë dy muaj deri në caktimin e zgjedhjeve. Por edhe në atë rast është e padefinuar, pasi nuk dihet se kush e qon vendin në zgjedhje”, deklaroi tutje Drenori.
“Nëse deri në orën 24:00 nuk kemi President të ri – shkojmë në zgjedhje”
Gazetari dhe moderatori i emisonit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, thotë se afati prej 60 ditësh është “gabim” dhe se nëse deri në orën 24:00 nuk kemi President të ri – shkojmë në zgjedhje brenda 45-ditësh.
“KOSOVA SHKON në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh nëse sot deri në orën 24:00 Kuvendi aktual nuk zgjedh një President të ri. Nuk ka rëndësi se a votohet për një, ose për dy kandidatë, nuk ka rëndësi a votohet fare, nuk ka rëndësi a mbahet ose nuk mbahet seancë e Kuvendit, nuk ka rëndësi se kush merr pjesë në votim, as nuk ka rëndësi se kush janë ata që marrin pjesë në votim dhe kush jo”, tha në një shkrim Kelmendi.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës i ka mekanizmat e saj zhbllokues. Nëse sonte deri në orën 24:00 kjo përbërje e Kuvendit të Kosovës dështon të prodhojë një President të vendit, Kuvendi shpërbëhet, në mënyrë që brenda afatit 45-ditësh të zgjedhjet një përbërje e re e Kuvendit, e cila pritet të jetë e aftë të prodhojë një President. Këtë e parasheh qartë Neni 86 i Kushtetutës, që flet për Zgjedhjen e Presidentit, ku thuhet”, shtoi tutje ai.
Kelmendi i citoi dy paragrafë të Kushtetutës, të cilët mund t’i lexoni më poshtë:
”2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.”
”6. Nëse ne votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.”
Sot, data 5 mars 2026, është ajo ditë e fundit e paraparë nga Kushtetuta, si ditë kur Kosova do të duhej bërë me President të ri. Pikërisht për shkak se Kushtetuta nuk mund të parashikojë situata politike, ose rrethana të tjera, se për çfarë arsye 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk do të duan, nuk do të dinë, nuk do të munden ta zgjedhin Presidentin, atëherë ka paraparë mekanizmin zhbllokues të afatit të fundit. Porosia është: çfarëdo që të bëni, nëse nuk arrini ta zgjedhni Presidentin së paku 30 ditë pas përfundimit të mandatit të Presidentit aktual, ju nuk jeni të aftë për këtë punë dhe nevojitet një përbërje e re e Kuvendit, pas zgjedhjeve, të provojë të prodhojë President të ri.
Gabimi me ”afatin 60-ditësh”
Kelmendi po ashtu argumentoi qëndrimin e tij se “60 ditët” janë gabim.
“Pika që flet për afatin 60-ditësh ka të bëjë jo me Nenin 86 që trajton Zgjedhjen e Presidentit, por me Nenin 82, që trajton Shpërndarjen e Kuvendit. Aty thuhet:
” 1. Kuvendi shpërndahet në këto raste: (…) (3) nëse brenda afatit gjashtëdhjetë (60) ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës.”
Hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës kanë vepruar shumë mirë dhe mençur teksa e kanë përpiluar këtë dispozitë kushtetuese, për shkak se edhe kjo pikë pamundëson krijimin e rrethanave bllokuese për zgjedhjen e Presidentit. Afati prej 60 ditëve është dhënë për të shmangur situatat kur, për çfarëdo arsye, një përbërje e Kuvendit fillon një ditë të caktuar procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, por dëshiron ta zvarrisë, ose e zvarrit për arsye të tjera atë zgjedhje në periudhë të gjatë kohore, e cila do të mund të kalonte disa muaj, e ndoshta edhe vite. Për këtë arsye, siç është paraparë situata zhbllokuese me Nenin 86, pika 2, që flet për afatin 30-ditësh, edhe Neni 82, pika 1 përmban afatin 60-ditësh.
Por ku është problemi?
Sot, kur jemi më datë 5 mars 2026, është ezauruar tashmë mundësia që parashihet me Nenin 82. Kjo përbërje e Kuvendit ka dështuar të nis procedurat për zgjedhje të Presidentit së paku 60 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual, dhe tash kemi të bëjmë vetëm me Nenin 86, që parasheh se deri në orën 24:00 do të mund të zgjedhjet Presidenti i ri, ose shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja”, deklaroi Kelmendi.
Si propozohet kandidati për president dhe si shkon votimi?
Për të propozuar një kandidat për president duhet të sigurohen 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa LVV-ja e vetme i ka 57 të tillë. Të gjitha partitë e tjera kanë më pak se 30 deputetë.
Për zgjedhjen e kandidatit nevojiten të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para, ose 61 në të tretin, nga gjithsej 120 deputetë.
Pozita e presidentit në Kosovë është kryesisht ceremoniale – për shkak se vendi është republikë parlamentare – dhe nga një president kërkohet të jetë figurë unifikuese mes partive politike./Gazeta Enigma
