Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot, në 32-vjetorin e rënies së heronjve të Kosovës Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, bëri homazhe dhe vendosi lule mbi varrezat e tyre në Velani të Prishtinës.
Me këtë rast, kryetari Konjufca tha se Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu kanë lënë amanetin e rëndësishëm se pa pushkë nuk vjen liria e Kosovës.
“Ky ka qenë amaneti më i rëndësishëm i Afrimit, Fahriut dhe gjithë heronjve. Vepra e tyre heroike ishte faktikisht shkëndija e parë e UÇK-së. Amaneti i tyre u realizua në vitin 1998, kur mijëra djem e vajza u rreshtuan përkrah Ushtrisë sonë çlirimtare, e cila e përmbylli lirinë dhe shtetësinë e Kosovës”, tha kryetari Konjufca.
Kryetari i Kuvendit shtoi se Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu jo rastësisht prehen në varrezat e dëshmorëve në Velani, pranë aktivistit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, pasi që ai ishte frymëzim për veprën e tyre atdhetare.
“Jo rastësisht Afrimi dhe Fahriu prehen këtu të qetë së bashku me Bacën Adem prej të cilit ata u inspiruan, sepse ai ishte i pathyeshëm. Ashtu siç ishte për ta frymëzim qëndresa e paepur e Adem Demaçit, për brezin tonë dhe brezat që do të vijnë do të jenë frymëzim veprat e Afrimit, Fahriut dhe të gjithë dëshmorëve që kanë rënë për lirinë e Kosovës”, theksoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.