Në 22 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, sot në fshatin e tij të lindjes është mbajtur një tubim ku u kërkua zbardhja e fatit të tij dhe të zhdukurve tjerë në luftën e fundit në Kosovë.
Në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit, ka qëndruar edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka vendosur lule pranë bustit të Ukshin Hoti, si dhe ka vizituar shtëpinë ku ka jetuar Ukshin Hoti që tash është shndërruar në muze.
Konjufca para të pranishmëve ka thënë se politikanët, përfaqësuesit institucional, profesorët e shkencave sociale humane dhe të shkencave politike dhe juridike, duhet t’i studiojë veprat e Ukshin Hotit.
Ai propozoi që Ukshin Hoti të bëhet pjesë e korrikulumit të universiteteve dhe shkollave të Kosovës.
“Ukshin Hoti nuk ka qenë një intelektuar i mbyllur i zyreve, ai ka qenë intelektual, i cili e ka ndarë fatin me popullin e vet në kohët më të vështira. Ai ka kaluar nëpër të gjitha rrugët e mundshme prej viteve të shtatëdhjeta nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar. Ky është patrioti i vërtetë, ky është intelektuali i vërtetë që nuk i bën bisht fatit, por i cili është aty pikërisht ku është populli i vet”, theksoi kryetari Konjufca.
Sipas tij, Ukshin Hoti u arrestua dhe gjatë burgut përjetoi torturat më çnjerëzore, por që ai nuk u dorëzua asnjëherë para armiqve të tij.
“Në vitin 1999, më 16 maj kur forcat e Serbisë e rrëmbyen dhe e zhduken me dhunë patriotin tonë të madh dhe të shquar Ukshin Hoti dhe prej atëherë fare pak dihet dhe fare pak është treguar se çka ka ndodhur në të vërtetë. Ajo që dihet fare saktë është që shteti i Serbisë është fajtor për atë që ka ndodhur”, tha kryetari Konjufca.
Të pranishmëve me nga një fjalë rasti iu kanë drejtuar edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, si dhe shokët e tij.