Konjufca: Qeveria mund të mos e përfundojë mandatin 4-vjeçar

Konjufca: Qeveria mund të mos e përfundojë mandatin 4-vjeçar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nuk ka përjashtuar mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.     

Konjufca thotë se qeveria mund të mos e përfundojë mandatin 4-vjeçar.

“Secili pushtet i nënshtrohet një principi të njëjtë. Principi universal është që ke mu sprovu dhe aty do të përfundon. Mundohesh maksimalisht me qenë në përputhje me atë që ke shpjegu më herët, e kur të vijnë mundësitë mundohu me punua në mënyrë më të drejtë dhe pa hile e pa korrupsion, në fund bëhen katër vite. Munden mos me shkue katër vite. Populli të gjykon dhe ta jep vendin”, tha ai në “Debat Plus”, përcjell Gazeta ‘Enigma’.

I pyetur nëse kjo nënkupton se do të ketë zgjedhje të reja Konjufca është përgjigjur:

“Qeveria ndonjëherë edhe vet shkakton zgjedhje. Kjo ndodh në vendet demokratike. Kosova është lodhë nga zgjedhjet. Por në vendet demokratike për pak gjëra shkohet në zgjedhje”, deklaroi tutje Konjufca.

Ai ka folur edhe për refuzimin e projektit të gazit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Gjasat janë shumë të mëdha që projekti të realizohet. Projekti përkohësisht është skajuar për shkak të matematikave që lidhen me kostot. Nëse projekti do të kishte më shumë subvencionim nga faktori ndërkombëtarë unë mendoj se qeveria nuk do të kishte asnjë dilemë. Pra ne nuk kemi asnjë dilemë gjeopolitike. Kostoja është ngulfatëse”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës

Ai thotë se efektet e këtij projekti edhe nëse do të ndodhte, do të shiheshin pas 3-4 viteve.

“Arsyeja kryesore pse Qeveria e ka pasur çështjen e skajimit, pra nuk e ka marrë me hov, është se kriza e gazit ku ka hyrë vetë Evropa, se gazi nuk është energji e ripërtëritshme”.

I pari i Kuvendit thotë se megjithatë nuk mendon se gazi është refuzuar.

Konjufca thotë se megjithatë projekti i gazit është gjeopolitik pasi lidhet me bllokimin e ndikimit të Rusisë./Gazeta Enigma/

Related Articles