Me “Kornizën e re” të dialogut që pritet të nënshkruhet në vitin 2023, Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës si shtet të pavarur.
Ndërsa, pas 10 viteve, atëherë kur Bashkimi Evropian është i gatshm të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin Perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anatarësim në BE.
Mirëpo, disa nga pikat e kësaj kornize, analisti për çështje ndërkombëtare Dritëro Arifi, i cilëson si jo serioze.
“Korniza e re e dialogut është publikuar nga një medium shqiptar dhe në bazë të asaj çfarë kam parë, nuk më janë dukur serioze disa nga pikat e paraqitura për shkak se në kemi 10 vjet dialog me Serbinë”, tha Arifi duke theksuar se nuk mund të kërkohen çështje që ndoshta është dashur të bëhen në vitin 2011, të jenë pikë të agjendës tash në vitin 2022.
Arifi beson se një kornizë e re do të vie, sepse sipas tij deri tash i dërguari special për dialogun, Miroslav Lajak nuk ka arritur qëllimin ta ketë një agjend të caktuar.
“Një kornizë e re po shihet që do të vie, sepse deri tash Bashkimi Evropian apo i dërguari special për dialogun, Miroslav Lajçak nuk ka arritur qëllimin deri tash që ta ketë një agjend të caktuar”.
“Një kornizë kohore se për çka do të bisedohet, sepse nuk mund të bisedohet për gjithçka dhe për gjëra teknike për 11 vite radhazi. Është jo serioze nga BE-ja dhe me rikyçjen e Gjermanisë po vërehet që do të kemi një kornizë të re në kuptimin e një afati kohorë.
Mirëpo, se a do të jetë njohja reciprocke e kësaj kornize të re, sipas Arifit kjo mbetet të shihet.
“A do të jetë njohja reciproke pikë e kësaj kornize të re, kjo pritet të shihet por mendoj se çdo zgjidhje gjysmake nuk e zgidh problemin vetëm e kontrollon paqen e kushtëzuar për një kohë të caktuar, e cila prap mund të prodhojë problem se sa që kemi tash mes Kosovës dhe Serbisë.
Mes tjerash, Arifi thekson se BE-ja duhet të jetë më serioze që në fokus të jetë njohja reciprocke, sepse sipas tij vetëm kjo e zgidh problemin.
“Neve nuk na intereson se çfarë opinioni ka në Serbi, ky është obligim i BE-së sepse ata e kanë toleruar kaq vite dhe ata duhet ta gjejnë zgjidhjen”, përfundoi Arifi.
Ndryshe, pas propozimit të kësaj kornize, kanë ardhur reagime nga palë të ndryshme.
Kush e propozoi këtë kornizë?
Tre diplomatët evropianë kanë qëndruar më 9 shtator në Kosovë, ku kanë takuar kryeminisrin Albin Kurti.
Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.
Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kanë emëruar këshilltarët e tyre për të ndihmuar këtë dialog.
Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit po atë ditë, Macron dhe Scholz kanë thënë se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.
Ata, po ashtu, u kanë bërë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, sipas tyre, do të çonin drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Pas qëndrimit në Kosovë, Lajçak dhe dy këshilltarët evropianë janë takuar edhe me presidentin e Serbisë, Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se në takim me diplomatët evropianë ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, por se është e gatshme për zgjidhje kompromisi. Ai nuk ka dhënë detaje se çfarë nënkupton me zgjidhje kompromisi.
Vizioni i dialogut, një marko-perspektivë
Kjo pjesë tregon në tri pika se çfarë parashihet të ndodhë në 10 vjetët e ardhme nëse pranohet marrëveshja. Zhvillimet aktuale shihen si vijimësi e angazhimit të BE-së, në dialogun e nisur një dekadë më parë.
“2013, marrëveshja e parë për normalizimin e raporteve. 2023, marrëveshja e dytë për normalizimin e raporteve (pranimi faktik i pavarësisë së Kosovës kundrejt një akti formal të njohjes). 2023, marrëveshja e tretë për normalizimin e raporteve (njohja e ndërsjellë formale), pak para se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE-së”.
Në pikën e parë potencohet se “Një normalizim substancial i raporteve duhet të arrihet deri në mes të vitit 2023”.
Më pas vazhdohet me pikën e dytë.
“Kosova dhe Serbia janë dy realitetet të ndara legale dhe politike që duhet të njihen si të tilla nga të gjitha palët në procesin e dialogut. ‘Të gjitha palët’ janë Prishtina (Kosova), Beogradi (Serbia) dhe Brukseli (BE, që nënkupton të gjitha shtetet e BE-së, përfshirë edhe jo njohësit)”.
Kurse pika e tjetër sqaron pozicionin e Serbisë.
“Serbia nuk do të jetë e gatshme t’i bashkohet BE-së pa një normalizim komplet të raporteve politike, legale dhe diplomatike me Kosovën. Gjithsesi, duke pasur parasysh që pranimi i Serbisë në BE është akoma larg, në këtë fazë, Serbisë nuk do t’i kërkohet që ligjërisht ta njohë Kosovën”.
Dokumenti, siç sqarohet në fillim, është një makro perspektivë, e hartuar si draft shpjegues të dinamikave kyçe, dhe nuk merret me elemente specifike dhe as me marrëveshjet një nga një të arritura deri tash në Bruksel – një nga më problematiket, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Çfarë ka ndodhur së fundmi mes Kosovës dhe Serbisë?
Më 31 korrik dhe 1 gusht, tensionet u rritën në veri të Kosovës, pasi serbët lokalë kundërshtuan dy vendime të Qeverisë së Kosovës, për targat dhe për dokumentet serbe.
Barrikadat e vendosura u hoqën pasditen e 1 gushtit, pasi Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë zbatimin e dy vendimeve për një muaj.
Por, pas ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të heqin dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje dhe më 1 shtator, kjo marrëveshje nisi së zbatuari.
Po më 1 shtator, në Kosovë ka nisur afati për riregjistrimin e veturave me targa serbe në ato RKS (Republika e Kosovës).
Të gjithë qytetarët që kanë makina me targa me akronime të Kosovës – sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme – mund t’i riregjistrojnë ato në RKS deri më 31 tetor.
Çështja e targave tashmë është kthyer në prioritet për bllokun evropian, që do që të arrihet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, para se të skadojë afati për riregjistrim.
Serbia kërkon që qytetarët në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe të përdorin targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kosova refuzon një propozim të tillë. /Gazeta Enigma/.