Kombëtarja e Kosovës ka barazuar 3:3 në përballje me Holandën, në ndeshjen e fundit në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2024 në futsall. Dardanëve u duhej fitorja me dy gola epërsi në këtë takim për të shpresuar për kualifikim në “Elite Round” dhe djelmoshat e udhëhequr nga përzgjedhësi Agon Ramadani ishin shumë afër këtij qëllimi, pasi deri në minutën e fundit të ndeshjes ishin në epërsi 3:1.
Megjithatë, këmbëngulja e madhe e Tulipanëve dhe loja e tyre me pesë lojtarë në minutat e fundit bëri kthesë në rezultat, duke barazuar shifrat dhe duke mos lejuar festën e Kosovës. Gjatë tërë ndeshjes u zhvillua lojë shumë e fortë, por Kosova në aspektin taktik u shfaq shumë mirë. Dardanët kaluan në epërsi në minutën e 9-të, me golin e Mërgim Dervishajt. I njëjti e dyfishoi epërsinë në minutën e 29-të. Mysafirët e ngushtëuan diferencën në minutën e 31-të, por vetëm dy minuta më vonë Kosova riktheu epërsinë e dëshiruar me një skemë të shkëlqyeshme, të cilën e finalizoi Ramadan Alaj. Mirëpo, pikërisht atëherë kur duhej të ishin më të përqendruar lojtarët tanë nga lodhja dhe trysnia e kundërshtarit bën një gabim në mbrojtje, të cilën e shfrytëzuan Tulipanët për të ngushtuar shifrat në 3:2 me golin e Lahcen Bouyouzan dhe vetëm pak sekonda më pas edhe të barazojnë për rezultatin përfundimtar 3:3, me golin e Iliass Bouz.
Ky rezultat ia mundësoi Holandës ta sigurojë vendin e dytë në Grupin 11, derisa Kosova mbeti e treta me 1 pikë
Pas ndeshjes përzgjedhësi Agon Ramadani, për të cilin kjo ishte ndeshja e parë në krye të Dardanëve të futsallit u shpreh i mërzitur për faktin që skuadra e tij nuk mori rezultatin e dëshiruar, por njëherësh krenar për paraqitjen e djelmoshave në këtë takim.
“Është mëkat që ky angazhim i lojtarëve tanë nuk përfundojë me rezultat të fitores. Gjithsesi jam shumë i entuziazmuar dhe i kënaqur me dëshirën dhe vullnetin që treguan lojtarët. E kam thënë edhe paraprakisht se ndryshimet që janë bërë në ekip do të ndikojnë, pasi disa lojtarë kanë mungesë të përvojë në ndeshje të tilla, por sidoqoftë të gjithë kanë dhënë gjithçka nga vetja. Kjo ishte pika e parë e Kosovës në këtë sistem të garave në ‘Main Round”, prandaj dëshiroj që kjo të jetë një vazhdimësi e jona për të arritur rezultate pozitive edhe në kompeticionet e tjera. Më vjen keq që mundi i lojtarëve nuk rezultoi me fitore, por jam shumë i kënaqur me angazhimin e gjithsecilit. Në minutat e fundit ishte ai gabim i ekipit tonë në fazën e mbrojtjes që i dha mundësi Holandës të kthehet në rezultat. Edhe pse kemi punuar shumë në fazën e mbrojtjes, aty u ndëshkuam por kjo erdhi edhe si pasojë e lodhjes. Përgatitja fizike ka munguar paksa tek ekipi ynë dhe për këtë arsye kam bërë edhe rotacione të shpeshta në ekip që lojtarët të jenë sa më të freskët. Por, një ekip si Holanda me kaq vështirësi ta fitojë një pikë, kjo duhet të shërbejë si krenari për të gjithë ata që na kanë ndjekur sonte, por edhe motiv për ne për rezultate më të mira në të ardhmen”, ka theksuar Ramadani.