Kosova është renditur në vendin e 99-të, sa i përket lirisë së mediave. Kjo sipas ranglistës nga organizata “Reporterët pa Kufij”.
Pas publikimit të kësaj rangliste, ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila tha se liria duhet të jetë e plotë në çdo dimension, përndryshe nuk konsiderohet liri fare.
“Liria ose është e plotë, në çdo dimension, ose nuk ka liri fare. Nuk mund të ketë liri politike pa fjalë të lirë. Pa media të lira”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka rikujtuar se vendi ka qenë dëshmitar i fushatave të sinkronizuara kundër mediave, përfshirë linçime, kërcënime dhe përpjekje për frikësim, që sipas saj në disa raste kanë përfunduar edhe në dhunë.
Megjithatë, ajo është shprehur se kësaj mendësie që ka mbjellë farën e dyshimit, sharjes dhe mohimit po i vjen fundi.
“Kemi qenë dëshmitarë të fushatave linçuese e të sinkronizuara kundër mediave dhe gazetarëve; përpjekjeve për frikësim e presion; kërcënimeve që jo rrallë kanë përfunduar edhe në dhunë. Por kësaj mendësie që ka mbjellë farën e dyshimit, sharjes dhe mohimit, po i vjen fundi. Mediat e lira dhe gazetarët kanë mbajtur gjallë pluralizmin dhe demokracinë. Kanë ekspozuar padrejtësitë, skandalet dhe abuzimet. Të palëkundur dhe të pafrikësuar“, shkroi Çitaku.
